Ballina Ekonomia Euro dobësohet përballë lekut/ BSH: Në kursin e këmbimit zyrtar një euro...

Euro dobësohet përballë lekut/ BSH: Në kursin e këmbimit zyrtar një euro këmbehet me 96 lekë

60
0

Monedha europiane ka pësuar një dobësim  tjetër në fillim të kësaj jave kundrejt lekut shqiptar. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet aktualisht me 96 lekë i cili rezulton se është niveli më i ulët I regjistruar ndonjëherë. Brenda 15  ditëve monedha europiane është dobësuar duke humbur mbi 1 pikë.

Ekspertët e lidhin këtë situatë me faktin se në ekonominë shqiptare në muajt e fundit ka pasur fluks të qarkullimit të euros e lidhur me turizmin, remitancat por edhe blerjen e pasurive të paluajtshme. Kjo tregon se sezoni turistik në vend  nuk është më i përqendruar në verë  dhe ka zgjatje të tij edhe në vjeshtë. Kjo është konfirmuar edhe nga turoperatorët të cilët deklarojnë se prenotimet kanë pësuar rritje përgjatë këtij viti.

Ndërkohë që të dhënat kanë konfirmuar se të huajt që kanë vizituar Shqipërinë gjatë këtij viti kanë shpenzuar rreth 2.1 miliardë euro në periudhën janar-qershor dhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga turistët janë rritur me 7.7%.

Edhe emigrantët kanë sjellë më shumë të ardhura pranë familjeve të tyre. në periudhën janar-qershor në vend janë sjellë 532 milionë euro po ashtu edhe flukset e investimeve kane pasur një rritje të lehtë .

Të gjitha këto janë faktorë  zyrtarë sipas institucioneve që kanë ndikuar në forcimin e lekut përballë euros. Euro pësoi një forcim të lehtë vetëm në ditë  e fundit të muajit gusht  për të nisur më pas rënien në fillim të shtatorit. Megjithatë, dobësimi i euros  gjatë 2025-ës ka qenë më i përmbajtur krahasuar me vitet e kaluara.