Ballina Bota “Lufta” për TikTok, mbyllen bisedimet Kinë-SHBA në Madrid! Trump: Kemi arritur një...

“Lufta” për TikTok, mbyllen bisedimet Kinë-SHBA në Madrid! Trump: Kemi arritur një marrëveshje..

21
0

Bisedimet mes delegacioneve amerikane dhe kineze në Madrid të Spanjës për çështjet tregtare, tarifat dhe veçanërisht TikTok duket se kanë shkuar shumë mirë.

Këtë e konfirmoi edhe vetë presidenti amerikan Donald Trump me një reagim të shkurtër, informojnë mediat ndërkombëtare.

“Kemi arritur një marrëveshje, do të takohemi me Xi të premten”, ishte njoftimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Dita e dytë e negociatave në Madrid midis SHBA-së dhe Kinës duket se ka arritur dakordësinë për çështjen e rrjetit social aq shumë të përfolur dhe që ka të paktën 170 milionë përdorues në SHBA. Lajmin e konfirmon edhe “Reuters”.

Moratoriumi për ndalimin e aplikacionit kinez skadonte pas dy ditësh. Por detajet e marrëveshjes nuk bëhen ende publike.

Bisedimet tregtare SHBA-Kinë dhe arritjen e marrëveshjes për TikTok e konfirmoi edhe kreu i delegacionit amerikan në takimin e Madridit.

Scott Bessent, Sekretar i Thesarit të SHBA dhe përfaqësues i Tregtisë, tha se “është arritur korniza e marrëveshjes në TikTok”.

“SHBA-të dhe Kina arritën një marrëveshje kornizë mbi aplikacionin e videove të shkurtra TikTok, si pjesë e bisedimeve më të gjera mbi tarifat dhe politikën ekonomike që përfunduan në Madrid të hënën”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent.

Një marrëveshje do t’i lejonte TikTok të vazhdonte të operonte në Shtetet e Bashkuara, ku është përballur me mbylljen që më 17 shtator, nëse nuk kalon në pronësi të SHBA-së.

“Korniza është për një kalim në një pronësi të kontrolluar nga SHBA-të”, u tha Bessent gazetarëve në Madrid, në përfundim të dy ditëve bisedime, pa dhënë detaje të mëtejshme.