Ish-reparti ushtarak në Bërdicë, një hapësirë e mbuluar prej dekadash nga tonelata hekurishte dhe qindra automjete të bllokuara, po i rikthehet më në fund qytetarëve të Shkodrës.
Pas vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronës në administrim të Bashkisë Shkodër, punimet për pastrimin e zonës tashmë kanë përfunduar, duke hapur rrugën për një transformim të madh urban.
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja dhe kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci inspektuan nga afër terrenin, i cili deri pak javë më parë shërbente si magazinë e improvizuar e automjeteve të bllokuara nga policia, ndërsa së fundmi u mor nën administrim nga AAPSK.
“Janë rreth 327 automjete dhe motomjete që janë hequr nga kjo zonë dhe janë grumbulluar në Porto Romano. Pjesa tjetër e skrapit ishte e mbetur prej më shumë se 12 vitesh. Sot kjo hapësirë është e lirë dhe gati për investim”, tha znj. Xhaja.
Në total, bëhet fjalë për tre hektarë tokë që do të kthehen në hapësirën më të madhe publike të qytetit, një projekt i përbashkët mes Bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Projekti parashikon ndërtimin e një këndi lojërash modern për fëmijë, hapësira rekreacioni për prindërit, si dhe gjelbërim që do t’i japë frymëmarrje një prej zonave të bllokuara prej dekadash.
Për kryebashkiakun Beci, ky është një transformim i rëndësishëm jo vetëm nga ana vizuale, por edhe për funksionalitetin urban të Shkodrës:
“Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetin tonë. Për 30 vjet, kjo hapësirë ka qenë e zaptuar nga makina të ndryshkura dhe nuk kishte asnjë vlerë për qytetarët. Sot e kemi çliruar dhe do ta kthejmë në një park për fëmijët e Shkodrës. Është një dhuratë për komunitetin dhe një premtim që po e bëjmë realitet.”
Ky investim pritet të nisë së shpejti, duke i hapur rrugën parkut më të madh të lojërave në Shkodër, një hapësirë që jo vetëm do të gjallërojë jetën e banorëve, por do të kthehet edhe në një simbol të transformimit të qytetit drejt standardeve moderne urbane.