Të mërkurën, Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur për të shqyrtuar procedurën e shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej rreth shtatë muajsh në Durrës.
Nisma për shkarkimin e tij është cilësuar nga avokatja Brizida Gjikondi si një hap me karakter moral, politik dhe ligjor. Gjatë një interviste televizive, Gjikondi theksoi se Veliaj ka mbajtur peng institucionin e Bashkisë dhe se duhet të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas ndalimit të tij.
Ajo shtoi se situata aktuale në kryeqytet pasqyron mungesën e një qeverisjeje efikase dhe dështimin e klasës politike për të treguar përgjegjshmëri morale. Ndërkohë, vendimi për shkarkimin pritet të varet edhe nga qëndrimi që do të mbajë grupi i djathtë në Këshillin Bashkiak.
“Unë e gjykoj si një procedurë morale, kjo ka tre këndvështrime, moral, politik dhe ligjor. Veliaj duhet të ketë vetëdijen se ka qenë në atë post nga zgjedhja e PS dhe Ramës, duhet të jepte dorëheqjen pa i dhënë gojë Berishës. PS bashkë me Këshilltarët e saj i takon që të ndjekë këtë procedurë. Veliaj për këto muaj ka mbajtur peng Bashkinë e Tiranës. Tirana nuk mund të jetë peng i asnjë situate personale. Kemi parë që gjatë këtyre 7 muajve në Tiranë ndjehet kaosi i një mosqeverisjeje efikase. E kam thënë që në fillim, që Veliaj duhet të hapte krahun. Duke patur si strehë politikën, jam një mesazh dhe imazh shumë të shëmtuar. Ishte një mesazh se sa larg realitetit janë politikanët shqiptarë, që kanë humbur çdo fije morale. Nuk duhet ta përdorë politikisht, aq më tepër familjen e tij politike që e sollën deri atje. Këshilli Bashkiak kërkon shkarkimin e Veliajt në mënyrë objektive. Duhet të shikojmë se çfarë do të bëjë grupi i djathtë, që deri më parë ngeli në derë të bashkisë që Veliaj të jepte dorëheqjen kurse tani po i dalin në mbrojtje. Tani edhe vetë bashkia si administratë e ka kuptuar që ka filluar një epokë tjetër. Ankimi i Veliajt, mund të mos futet fare në Gjykatën Kushtetuese”, tha Gjikondi.







