Ballina Politika E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA: Gjyqtarët dhe prokurorët, duhet...

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA: Gjyqtarët dhe prokurorët, duhet të marrin vendime të guximshme kundër korrupsionit

22
0

Në kuadër të përkujtimit të Ditës së Kushtetutës, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, mbajti një fjalim të rëndësishëm ku theksoi rolin kyç të Kushtetutës si themeli i demokracisë dhe drejtësisë.

VanHorn nënvizoi se Kushtetuta është më shumë se një dokument ligjor, ajo përfaqëson një premtim të gjallë për mbrojtjen e të drejtave individuale, ndarjen e pushteteve, lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit, elementë kyç për një demokraci funksionale dhe të qëndrueshme.

“Gjyqtarët, prokurorët, shoqëria civile dhe media e lirë janë mbrojtësit e të drejtave të çdo qytetari shqiptar,” theksoi VanHorn, duke i ftuar të gjithë të përkushtohen për drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie.

Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë VanHorn në pritjen me rastin e Ditës së Kushtetutës

Të nderuar të ftuar, është një privilegj të qëndroj para jush sot ndërsa përkujtojmë Ditën e Kushtetutës – një ditë që na kujton fuqinë e qëndrueshme të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, e cila mbron të drejtat e individëve dhe udhëheq kombin tonë drejt drejtësisë dhe begatisë.

Kushtetutat ndërtohen mbi parime thelbësore për një demokraci funksionale: mbrojtja e të drejtave individuale, ndarja e pushteteve, liria e fjalës dhe sundimi i ligjit.

Këto parime nuk janë thjesht ideale abstrakte; ato janë themeli i besimit midis qeverive dhe popujve të tyre. Ato sigurojnë që drejtësia të zbatohet në mënyrë të drejtë, që pushteti të jetë i balancuar dhe të drejtat e çdo individi të respektohen.

Gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e shoqërisë civile dhe një shtyp i lirë janë rojtarët e të drejtave të çdo qytetari shqiptar. Ju keni fuqinë të siguroni që drejtësia të mos jetë thjesht një fjalë, por një realitet për të gjithë shqiptarët. Keni përgjegjësinë të mbroni drejtësinë, transparencën dhe llogaridhënien. Dhe keni mundësinë të forconi besimin midis njerëzve dhe institucioneve që i shërbejnë atyre.

Kjo punë kërkon guxim – guximin për të marrë vendime të vështira, për të rezistuar ndaj korrupsionit dhe për të qëndruar të palëkundur përballë trysnisë. Ndërsa vazhdoni punën tuaj jetike, mos harroni se një kushtetutë është më shumë se një dokument ligjor. Është një premtim i gjallë për të mbrojtur të drejtat, për të mbështetur drejtësinë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Në këtë Ditë të Kushtetutës, ne nderojmë guximin e atyre që erdhën para nesh duke u angazhuar për këto parime.

Faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj këtij misioni dhe shpresojmë që të gjithë të gjejmë guximin për të mbështetur idealet që e bëjnë të mundur demokracinë.