Ballina Kosovë Albin Kurti mesazh serbëve të Kosovës: Mos u besoni britmave luftënxitëse të...

Albin Kurti mesazh serbëve të Kosovës: Mos u besoni britmave luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të Beogradit

22
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një videomesazhi, u është drejtuar qytetarëve të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, duke u bërë thirrje që të mos bien pre e retorikës luftënxitëse që, sipas tij, vjen nga zyrtarë të lartë të Beogradit.

Në mesazhin e tij, Kurti u shpreh se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të mbrojtur të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

“Beogradi zyrtar zyrtarisht gënjen. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore do t’ju mbrojnë edhe prej tyre. Paqja dhe siguria juaj janë obligimi ynë”, ka thënë Kurti në videomesazh.

“Në Kosovë nuk ekziston jotolerancë ndëretnike siç propagandojnë disa. Përkundrazi, ekziston bashkëpunimi, sidomos në ekonomi dhe në treg. Natyrisht, aty ku ka fitim ka edhe bashkëpunim, por ky bashkëpunim duhet të jetë ligjor dhe i rregullt. Megjithatë, duhet të pranojmë se ekziston një barrierë gjuhësore, pra fakti që gjithnjë e më pak shqiptarë flasin gjuhën serbe dhe anasjelltas.”

Më tej, ai theksoi rëndësinë e drejtësisë dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët, duke shtuar se ofrimi i shërbimeve publike duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

“Ashtu si të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës edhe juve ju takojnë shërbimet e institucioneve publike, dhe ju meritoni qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta. Unë angazhohem për unitet dhe barazi.

Sigurisht, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi. Këtë nuk dua ta bëj kundër jush apo pa ju.
Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm.

Besoj se është e mundur të kemi sistem ligjor e të drejtë dhe që funksionon shumë më mirë. Dhe e dimë sa të domosdoshme janë investimet e mëdha. Brenda një procesi të tillë do t’i bashkojmë idetë, përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesin e tij special për dialog, vendet e Quintit dhe KFOR-in.”