Ballina Kronika Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoj, Arben Haxhiaj: Mora kërcënime për fëmijët, ju rrëfej...

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoj, Arben Haxhiaj: Mora kërcënime për fëmijët, ju rrëfej takimet me Rrumin

492
0

Në procesin ndaj Plarent Dervishaj dhe Julian Meçes të pandehur për atentatin ndaj automjetit të ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj me 1 të vrarë dhe dy të plagosur dëshmoi Arben Haxhiaj, vëllai i Bashkim Haxhiaj, i pandehur në të njëjtin proces. Dervishaj dhe Meçe po gjykohen veçmas nga të pandehurit e tjerë për shkak se të dy u ekstraduan më vonë nga Dubai.

Për atentatin është dënuar me burg përjetë Redian Rraja nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe bashkëpunëtori i tij Arion Halilaj me 30 vite burg.

Në ngjarje u plagos Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho i njohur si Rrumi një personazh i botës së krimit, ndërsa mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.

Dëshmia e Arben Haxhiaj

Në 2020 kam jetuar në Durrës. Kam pasur një bar të vogël në lagjen nr.5.

Aleksandër Lahon e njoh më shumë nga TV, por e kam takuar edhe personalisht. Ka ardhur tek lokali vetë i tretë.

Mu prezantua vetë. Ishte pak i shëndoshë, i rrumbullakët.

Arsyeja e takimit, ishte të më paralajmëronte që im vëlla, Bashkimi, të largohej nga ky sherr.

Këtyre i kanë bërë atentat (bëhet fjalë për atentatin ndaj Plarent Dervishaj, Julian Meçe dhe Bashkim Haxhiaj në qershor 2019 në Shijak) Juli ka ndenjur në allçi. Ka ngrënë 4 plumba.

Unë i thashë rri larg meje. Vazhdova punët e mia.

Vëllai im ishte në burg kur ndodhi kjo.

Ndërruam edhe nr telefoni me Lahon.  (Rrumin e Shijakut).

Më ka telefonuar për të njëjtin muhabet.

I kam dhënë të njëjtën përgjigje.

Pas asaj telefonate nuk kam pasur asnjë kontakt tjetër.

Për atentatin ndaj prokurorit nuk kam asnjë dijeni.

Av. Ilia Ilia: Na e përshkruaj si erdhi?

Erdhi tek lokali vetë i tretë.

Unë edhe jam kërcënuar me sms. Më kanë thënë: Hiqni dorë, se do ta vrasim vëllain. Do të marrim edhe fëmijët e tu.

Nuk e di kush ishte dërguesi.

Ky kërcënim ka ardhur disa kohë pas bisedës me Rrumin.

Vëllai im është dënuar me 4 vjet e 8 muaj për atentatin ndaj prokurorit.

Edhe vëllait tim i është bërë atentat. Unë di që kur kam shkuar tek spitali, vëllain e kishin marrë në polici. Vëllai im ka qenë në të njëjtën makinë me Plarent Dervishin dhe Jul Meçen kur ju bë atentat.

Në dijenin time janë dëmtuar të tre. Po të ishte zgjidhur ajo punë, kush e bëri atentatin, nuk do të isha unë këtu sot. Unë vij e dëshmoj këtu, se më thërrasin, por fëmijët e mi janë në rrezik, se jetoj në Durrës.