Ballina Politika Rama: Albana Koçiu jo ministe e çetës policisë, po e adresave dhe...

Rama: Albana Koçiu jo ministe e çetës policisë, po e adresave dhe zjarrfiksëve

68
0

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot zyrtarisht ministren e re të Brendshme, Albana Koçiu, në një fjalim ku nuk munguan as tonet e forta ndaj Policisë së Shtetit dhe rolit të saj në kontrollin e territorit.

Në fjalën e tij, Rama u ndal veçanërisht te ndërhyrjet e fundit për prishjen e ndërtimeve pa leje, duke theksuar se tashmë Policia ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë proces, ndërsa nuk kurseu as kritikat për të kaluarën.

Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të sotëm para stafit dhe drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, ministrja e sapoemëruar Albana Koçiu deklaroi se detyrat e ngarkuara nga kreu i qeverisë do të realizoheshin.

Ajo pranoi problematikat e institucionit, të cilin Rama e cilësoi “të prapambetur” dhe që punon me “orare të tjera kohore” nga vendi.

“Janë emergjenca të kohës, janë probleme të drejta dhe unë së bashku me MB, ekipin e saj, do ngrihemi në lartësinë e punës dhe figurës, duke nisur me punonjësit publik, duke nisur nga ata këtu, për integritetin. Për funksione të rëndësishme që janë themelet e shtetit”, pranoi Koçiu, duke ndjekur të njëjtin diskurs si shefi i qeverisë.

Ajo i vuri në dukje të pranishmëve se vendi ndodhet në moment të rëndësishëm dhe ndaj detyrat e ngarkuara duheshin realizuar, duke deklaruar publikisht se ato do kryheshin sipas porosive të kreut të qeverisë.

“Duke pasur parasysh edhe momentin ku ndodhet vendi, Europa nuk është iluzion, por realitet i prekshëm, ndaj do çojmë para këto punë që kryeministri na ka ngarkuar dhe legjislacioni na detyron, e t’i çojmë para punët. Kjo ministri duhet të flasë pak dhe të punojë shumë, ndaj duhet të flasim sa më pak e t’i çojmë përpara punët. Të gjithë t’i tregojmë kryeministrit që po do t’ia dalim dhe do t’i kryejmë të gjitha detyrat që na ka ngarkuar”, përfundoi Koçiu fjalën e saj të shkurtër.