Ballina Sport Skandal me tregun e zi të biletave në Premier League

Skandal me tregun e zi të biletave në Premier League

20
0

Një hetim i BBC ka zbuluar një treg të zi ku shiten me mijëra bileta të Premier League, të organizuar nga kompani të regjistruara jashtë Mbretërisë së Bashkuar – përfshirë në një qytet zviceran me vetëm 4 mijë banorë.

Këto kompani përdorin anëtarësi dhe programe kompjuterike për të blerë bileta me shumicë nga platformat online të klubeve, për t’i rishitur më pas ilegalisht në internet. Gazetaria e BBC arriti të blinte lehtësisht bileta për katër ndeshjet e fundjavës së kaluar – përfshirë derbin e Mançesterit, ku shitjet ishin konsideruar tw mbyllora prej javësh.

Biletat kushtuan dy deri katër herë më shumë se çmimi real, ndërsa në disa raste u dërguan nga numra britanikë në WhatsApp me udhëzime strikte për të mos folur me stjuardët.

Në disa raste, tifozët që blenë bileta nga këto faqe nuk arritën të hynin në stadium, pavarësisht çmimeve të larta. U regjistruan raste ku turistë japonezë paguan mbi 2,200 paund për bileta me vlerë reale 87 paund. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se ky fenomen po bëhet “endemik” dhe rrezikon sigurinë, pasi shkel rregullat e ndarjes së tifozëve në stadium.

Klubet pretendojnë se po luftojnë fort ndaj fenomenit, duke anuluar me dhjetëra mijëra llogari dhe bileta. Arsenal konfirmoi anulimin e 74,000 anëtarësive të dyshimta, ndërsa Everton tha se po bashkëpunon me policinë për të vepruar kundër tregtarëve të paligjshëm.

Megjithatë, lista e “faqeve të paautorizuara” e Premier League përmban mbi 50 platforma, mes tyre edhe Stubhub e Vivid Seats, ku aksioner është pronari i Chelseat, Todd Boehly.

Shitja ilegale kryhet përmes kompanive të regjistruara jashtë Britanisë – në Spanjë, Dubai, Gjermani dhe Estoni – duke i shpëtuar ligjit vendas.

Arsenal ka hequr 30,000 hyrje të dyshimta nga shortet e biletave. Chelsea ka bllokuar 350,000 blerje të kryera nga “bot-e”. Liverpool ka mbyllur 100,000 llogari të rreme.
Megjithatë, sipas Home Office, sezonin e kaluar u regjistruan vetëm 12 arrestime për tregti ilegale biletash në të gjitha gjashtë kategoritë e futbollit anglez.