Nga Major Nazif Ramabaja
Ahmet Krasniqi, është lindur në vitin 1948, në fshatin Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë në një familje të njohur atdhetare.
Ahmeti u bë sinonim i familjes Krasniqi, e cila në vazhdimësi punoi dhe veproi për t’u liruar dhe çliruar nga armiku shekullor.
Ahmet Krasniqi, punoi për liri dhe pavarësi. I frymëzuar nga idetë liridashëse, zgjodhi rrugën dhe drejtimin e ushtarakut dhe filloi shkollimin në Akademinë Ushtarake në Beograd, drejtimi i Këmbësorisë.
Atje takohet me Tahir Zemën dhe njoftohen , për herë të parë në v.1969.
Vitin e tretë dhe të katërt i vazhdojnë studimet ushtarake në Sarajevë, vetëm këta dy nga 28 kadetët shqiptarë, më 1973 e kryejnë akademinë dhe fillojnë me punë, Zemaj në Pejë e Ahmeti në Sarajevë, ku njihet me Agim Mehmetin. Në vitin 1993, nga organet e brendshme të sigurimit serb, zbulohen pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovë, një ndër ta Hazer Hajzeraj, Zaim Berisha etj.
Në vitet 1993-1994, Ahmet Krasniqi ndodhej në Kroaci, i pa punë, dy herë i burgosur nga regjimi serb, sugjerohet të jetë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Ahmet Krasniqi me propozimin e eprorëve ushtarak caktohet koordinator i të gjithë ushtarakëve me pëlqimin dhe firmosjen e atyre eprorëve, të cilët vepronin në Zvicër, Gjermani, Slloveni, Kroaci, Suedi etj.
Pra ai përcaktohet koordinues për formimin e shtabit suprem dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Konsultimet, janë bërë me Bujar Bukoshin, i cili e ka bërë nënshkrimin e emërimit të Ahmet Krasniqit person përgjegjës për formimin e shtabit Suprem dhe ushtrues detyre të Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Popullit të Kosovës i duhet një forcë mbrojtëse thoshte Ahmet Krasniqi.
Pas kësaj Ahmet Krasniqi me Agim Mehmetin nisen për në Oslo të Norvegjisë me 21-22 maj, për të biseduar me Adem Demaçin, i cili ishte përfaqësues politik i UÇK-së. Ahmet Krasniqi, informon Adem Demaçin dhe bien në ujdi për: Formimin e shtabit të përbashkët me qendër në Tiranë. Njohja e të gjitha njësive që vepronin në Kosovë, emërimi i tyre i përbashkët UÇK dhe stema e saj. Të gradoheshin dhe të plotësoheshin me oficer profesionist ato njësi për të krijuar hierarkinë ushtarake dhe institucionale. Çdo informacion apo komunikatë shtypi do të kalonte nëpërmes shtabit në Tiranë. Të sigurohej komandimi i të gjitha njësive me oficer profesionist. Për në Osllo udhëtova edhe unë (Nazif Ramabaja) me dy kolegët e mi. Me 22 maj, në ditën e dytë, takohem me Ahmet Krasniqin dhe Agim Mehmetin dhe them se ka qenë dita më e lumtur e tij, ishte shumë i disponuar përtej mase duke na treguar dhe informuar për marrëveshjen duke thënë: “Nazif, kurrë ma i lumtur se sot s’kam qenë në jetën time, tani mund të dërgoj në Drenicë armatim me helikopter. UÇK-ja do të jetë brumi i një ushtrie të ardhshme”.
Angazhon kolonel Zemën dhe Salih Çekajn. “I armatosur” rëndë me marrëveshjen e Osllos, kthehet prapa në Zvicër, bën përgatitje për formimin e Shtabit Suprem në Tiranë. Fton dhe e informon Tahir Zemën duke i kërkuar që sa ma parë të lajmërohet në Tiranë bashkë me Salih Çekajn dhe disa eprorë të tjerë.
Salih Çekaj kishte marrëdhënie të mira me komandantin e rrethit të Tropojës Selim Demushin, i cili e lejon lokacionin dhe gjetjen e objektit në Papaj. Ai ndihmonte që të mos ketë incidente ndërmjet policisë kufitare dhe ushtrisë në Tropojë, për ta bërë të mundur veprimin e njësive nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes pa pengesë. Deri më 21 qershor janë bërë përgatitjet dhe pastaj është bërë edhe formimi dhe betimi i brigadave 131,133 134 .
Komandant emërohet Tahir Zemaj dhe poashtu emrohen komandantët e Brigadave 131,13, me oficer të karrierës profesionistë. Incizimet e formimit të brigadave me 21 qershor dhe dhënia e betimit janë sekuestruar nga bandat e Fatos-Klosit, megjithatë një kasetë ka shpëtuar dhe disa ditë para vrasjes së Ahmet Krasniqit, për çudi janë lejuar publikimet e xhirimeve në TVSH, pra i janë dhënë opinionit. Formimi i atyre brigadave operative të UÇK-së, më vonë kalon në grupin e tretë operativ G-3-shi me batalionin desanto-vëzhgues.
TAKIMI I FUNDIT ME KOLONELIN AHMET KRASNIQI
Fillimisht u shpreh se ndihej tejet i lumtur që po na shihte edhe njëherë. “Ju kam urdhëruar të futeni në mes të zjarrit pa pasur mundësi t´ju ndihmoj”. Na tha dhe këto fjalë, se na kanë zbutur zemërimin, bëmë informimin dhe u informuam për të gjitha problemet që kishin ndodhur brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat s’ishin të pakta dhe kishin karakter bllokues dhe dezionformues kundër njësive operative të FARK-kut dhe vetë Ministrit Ahmet Krasniqit.
Pengesat, abuzimet dhe ndalesa e lëvizjeve të Ahmetit kishin marrë hov të madh. Ja disa skena dhe bllokime të bëra ndaj Ministrit Ahmet Krasniqit dhe stafit të Ministrisë: Ngjarja e Komanit dhe plaçkitja e një grupi banditësh bashkë me një pjesë të shtabit suprem Grabitjen që ju kishin bërë zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe vendbanimit të Ahmetit.
Presionet dhe çarmatimi i tij. Kolonel Ahmet Krasniqi, nuk ishte i kënaqur me punën e Mjeteve të informimit dhe thoshte: “Më shumë i jepnin publicitet ndasive, se sa faktit se jemi të okupuar dhe armik të vetmin e kemi Serbinë. Shtypi e tregon se armiqësinë më të madhe e kem në mes veti e jo me okupatorin. Kjo është tragjike, gazetarët duhet të jenë në funksion të misionit historik që ka të bëjë me qenien kombëtare”.
“Komandantët”, më tepër e dëmtuan se sa e ndihmuan çlirimin e Kosovës. Përveç që ishte kritik me mjetet e informimit, ai bëri një kritikë të njohur edhe për hiperbolizimet dhe propagandën që bënin disa komandant të UÇK-së në terren dhe me këtë s’mund të pajtohej Ahmeti.
Duke u prononcuar thoshte: „Shumë nga udhëheqësit e atëhershëm të UÇK-së, jepnin deklarata të mëdha e të pa mbulesë, që ishin euforike dhe tepër pak apo aspak ushtarake. Flitej për territoret e çliruara, por kur ndodhi sulmi serb të gjithë zhurmagjinjtë e zëshëm ikën duke e lënë popullin në mëshirën e armikut. Ua kemi bërë me dije se duhet të jenë më të kursyer në deklarime, se deklaratat duhet të pasqyrojnë realitetin dhe të kenë qëllimin e tyre konkret; ua kem tërhequr vërejtjen se mosrealiteti i deklaratave është me pasoja.
”Fatkeqësisht u deshtë të ndodhin ngjarje tronditëse për tu bindur populli dhe vetë ata “komandantët” që me deklaratat dhe me punën e tyre më tepër e dëmtuan se sa e ndihmuan çlirimin e Kosovës. Rezultatet në terren, dëmet e mëdha njerëzore e materiale dhe sidomos zhvendosja masive e popullatës janë argumenti konkret i pasojave të mëdha.
“ Shpresoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dijë të gjykojë dhe thellojë përvojën e vet, se me një vullnet më të madh e me një vëmendje të kthjellët do ti kushtojë kujdes vetorganizimit, institucionalizimit dhe ndërmarrjes së aksioneve të nivelit të duhur, me një angazhim e seriozitet përkatës me përgjegjësi historike që ka, në mënyrë që t’i arrijë rezultatet konkrete që kërkohen prej sajë. Nga vlerësimet e gjithanshme duhet të dal strategjia e veprimit që i ka hije veprimeve të vërteta ushtarake.
Pra, Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet ta strategjinë e sajë, ta bazojë në sa më shumë fitore që të bëhen aksione dhe luftime vetëm në ato territore ku i konvenon forcave tona mbrojtëse. Ministri Krasniqi: Tahir Zemës nuk guxon ti ndodhë asgjë Kishte thirrur shefin e sigurimit të shtabit suprem Ismetin duke i thënë, mua mund të më ndodh gjithçka, veç kini kujdes që komandant Tahir Zemes të mos i ndodh asgjë. Kah ora 23.00 e 21 shtatorit në mes të Tiranës vritet Ministri i Mbrojtjes Kol. Ahmet Krasniqi. Kjo më shkaktoi dhimbje të pa përshkueshme, vështirë i mbaja emocionet.
E thirra Agim Mehmetin duke e pyetur për ngjarjen, i shprehëm ngushëllime njëri tjetrit, më tha se e vërtetë është, na e mbytën Ministrin-bacen. UÇK-ja ishte nën kupolën e FARK-ut Kush ishte FARK-u dhe në përbërje të këtyre forcave kush hynte, Ato ishin të përbëra nga: UÇK-ja Aviacioni luftarak Mbrojtja territoriale Njësitë e Ministrisë së Brendshme. Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në bazë të Ligjit për Mbrojtje, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës përcaktohen se duhet të jenë të organizuara në mënyrën më profesionale dhe varësisht nga situata në terren.
Qëllimi ynë kryesor është që populli i Kosovës ta ketë një forcë mbrojtëse, e cila do të jetë garantuese e sigurisë e të gjithë banorëve të sajë. Ushtria e fortë Kosovare do të ndikonte edhe në rrafshin ndërkombëtar si faktor stabiliteti në Ballkan. Në këtë mënyrë duhet pasqyruar figurën e kol. Ahmet Krasniqit, i cili ishte institucionalist dhe veproi në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit të Mbrojtjes dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë s´ju largua këtyre akteve madhore, të cilat kishin qëllim dhe karakter shtet-formues.
Ai i mbrojti me xhelozi dhe përkushtimin më të madhe dhe për këtë qëndrim figurat e errëta e linçuan, bën atentatin e shekullit kundër figurës dhe qëndrimeve të tij të pa luhatshme. Në fund më lejoni që ta them edhe këtë. Figura e ndritur e kol. Ahmet Krasniqit do të jetë objekt studimi për gjeneratat e ardhshme se si duhet punuar dhe vepruar për popull, komb dhe atdhe.