Kryeministri Edi Rama ka shmangur vizitën e tij në SHBA për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ndonëse në vitet e fundit prej 2019-ës dhe deri më sot, Edi Rama ka mënjanuar përfaqësimin e Shqipërisë në nivel Presidenti, duke shkuar si drejtues i ekzekutivit, pas 6 vitesh, ka shmangur pjesëmarrjen në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të zhvillohet në Nju Jork në datat 22 – 27 shtator 2025.
Lajmi është konfirmuar nga Presidenti Bajram Begaj, I cili njofton se do të kryesojë delegacionin shqiptar për ku do të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë mbi çështjet kryesore, përfshirë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, multilateralizmin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut.
Kreu i Shtetit do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologë të tij dhe përfaqësues të lartë të OKB-së.
Për herë të fundit, Shqipëria në nivel Presidenti është përfaqësuar në vitin 2018 nga Ilir Meta, e prej asaj kohë drejtues i delegacionit ka qenë vetë Edi Rama. edhe në vitin 2023, kur Begaj udhëtoi së bashku me Edi Ramën në Asamblenë e OKB-së, ishte ky i fundit drejtues delegacioni duke moderuar edhe mbledhjen Këshillit të Sigurimit. Nuk dihen motivet se përse kryeministri shqiptar shmangu pjesëmarrjen në këtë samit, ku veç qëndrimeve në mbledhje me rëndësi të veçantë janë takimet me liderët e botës, dhe zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga ana tjetër, burime pranë qeverisë në mënyrë konfidenciale kanë bërë me dije se kryeministri po lobon për një vizitë në SHBA, për një konferencë dhe takime me personazhe të botës së teknologjisë dhe informacionit.