Menaxhimi i portofolit të borxhit shtetëror ka arritur të mbajë kostot në nivele të pranueshme, pavarësisht presioneve nga rritja e normave të interesit në tregjet vendase dhe ndërkombëtare gjatë viteve të fundit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë periudhës 2022–2023, rritja e normave të interesit solli shtim të shpenzimeve për interesa. Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit 7 herë, duke e çuar nga 0.5% në fund të 2021 në 3.25% në nëntor 2023. Në vitin 2024 nisi një cikël ulës, ku norma bazë ra fillimisht në 3.0%, për të zbritur më pas në 2.75% dhe 2.5% gjatë vitit 2025.
Struktura e portofolit ka amortizuar goditjen e tregjeve, pasi mbi 98% e borxhit të brendshëm dhe më shumë se 60% e borxhit të jashtëm janë të lidhur me norma interesi fikse. Megjithatë, kostoja mesatare e borxhit ka ndjekur një trend rritës gjatë 2022–2023, duke u stabilizuar në fund të vitit 2024. Ulja e normave të interesit pritet të reflektohet plotësisht në koston mesatare të borxhit gjatë vitit 2025 dhe në vijim.
Në aspektin e risqeve, portofoli ka shënuar përmirësim, sidomos në reduktimin e riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit, falë rritjes së përdorimit të instrumenteve afatgjatë me norma fikse. Gjithsesi, mungesa e diversifikimit të bazës së investitorëve mbetet një pikë e dobët, duke e bërë të nevojshme ristrukturimin e mëtejshëm të borxhit dhe zhvillimin e tregut të titujve.
Një tjetër tregues pozitiv është rënia e borxhit në valutë: në fund të 2024 ai përbënte vetëm 41.85% të borxhit total, një ulje me 3.8 pikë përqindje krahasuar me 2023 dhe me gati 8 pikë krahasuar me 2021. Kjo u ndikua si nga huamarrja e re e fokusuar kryesisht në tregun e brendshëm, ashtu edhe nga nënçmimi i euros dhe dollarit amerikan kundrejt lekut.
Ekspertët vlerësojnë se mbajtja nën kontroll e kostos dhe risqeve të borxhit është një arritje e rëndësishme, por theksojnë se sfida afatgjata mbeten diversifikimi i investitorëve dhe rritja e mëtejshme e tregut të titujve të borxhit në Shqipëri. /ekofin.al