Strategjia e re për Sigurinë Rrugore ka prezantuar tre skenarë të mundshëm deri në vitin 2030, bazuar në objektivat dhe Planin e Veprimit, të mbështetur në të dhënat statistikore dhe trendet aktuale të zhvillimeve në këtë fushë. Projeksonet variojnë nga një reduktim minimal i numrit të viktimave nëse nuk merren masa të reja, deri tek përgjysmimi i humbjeve të jetëve në rast të zbatimit të plotë të reformave.
Skenari 1: Aktivitetet mbeten në nivelin aktual
Ky është skenari më konservator, ku nuk do të kryhen aktivitete shtesë krahasuar me periudhën e mëparshme. Aktivitetet e palëve të interesit parashikohen të ulen për shkak të mungesës së burimeve dhe kufizimeve buxhetore. Në këtë situatë, ulja e numrit të vdekjeve do të jetë graduale me rreth 5 raste më pak çdo vit, duke çuar në një reduktim prej 26% midis 2021 dhe 2030. Në fund të dekadës, do të humbasin jetën 145 përdorues të rrugës, që i korrespondon 53 viktimave për 1 milion banorë. Ky skenar shoqërohet edhe me rrezikun e periudhave me rritje të ndjeshme të aksidenteve, sidomos për shkak të shtimit të motorizimit dhe infrastrukturës.
Skenari 2: Masa të ndërmjetme dhe ndërhyrje të përditësuara
Në këtë skenar, autoritetet dhe palët e interesit do të vijojnë aktivitetet aktuale, por do të zbatojnë gjithashtu veprime shtesë, duke reaguar në kohë ndaj mangësive të identifikuara dhe duke vepruar në mënyrë më të koordinuar. Ky ritëm i reformave përputhet me trendin mesatar të Bashkimit Evropian gjatë dekadës së kaluar. Nëse zbatohet, Shqipëria do të arrijë një ulje prej 36% të numrit të vdekjeve në periudhën 2021-2030. Kjo do të thotë që në vitin 2030 do të regjistrohen 125 viktima në rrugë, ose 46 viktima për 1 milion banorë.
Skenari 3: Zbatim i plotë i Strategjisë dhe Planit të Veprimit
Ky është skenari më ambicioz, i cili kërkon ndërhyrje të thella dhe sistemike në të pesë shtyllat e sigurisë rrugore, përfshirë edukimin, legjislacionin, infrastrukturën dhe kontrollin rigoroz të trafikut. Përveç forcimit të ligjit dhe dënimeve më të rënda për shkelësit, pritet të zhvillohen fushata të gjera sensibilizuese dhe të investohet në rrugë më të sigurta, sidomos për grupet më të cenueshme. Në këtë rast, Shqipëria do të arrijë objektivin e përgjysmimit të numrit të viktimave deri në vitin 2030, duke ulur humbjet në vetëm 99 përdorues të rrugës, që përkthehet në 36 viktima për 1 milion banorë. Ky rezultat do ta afronte vendin me standardet më të avancuara të vendeve anëtare të BE-së./ekofin.al







