Nga Namir Lapardhaja
Për Veliaj
Pushteti i madh bën miq, por më shumë bën armiq. Miqtë e dikurshëm u bashkuan me armiqtë dhe e ‘varrosën’ politikisht. Armiqtë i pamë, po miqtë e kryebashkiakut ku ishin dje?
Për PS-në
E lidhur gjenetikisht me partinë e punës, nuk mund të jetojë dhe të ec përpara pa krijuar, gjetur dhe eleminuar ‘grupe armiqësore’. Kush e ka radhën pas Veliajt?
Për Edi Ramën
‘Profetësia’ e tij se Veliaj do të ‘varet’ në një nga pemët që mbjell vetë, duket se u realizua. Leja që i ka dhënë luftës së brendshme në PS, ka ‘ngrënë’ shumë koka. A do të ‘haet’ edhe koka e Ramës nga kjo luftë?
Për opozitën
Pa kauzë, pa bosht dhe gjithmonë në ‘vallen’ që hedh pushteti. Ndërkohë që ankohej për shkelje të kushtetutës, u bë pjesë e një shkeleje të hapur ligjore, që mund ta rrëzojë Gjykata Kushtetuese. Çfarë ngelet për pretendimet e opozitës pastaj?
Për PD-në
Ende pa një emër për bashkinë e Tiranës, vijon të vuajë atë që ka vuajtur përherë: pretendojnë të gjithë ata që nuk kanë bërë një garë në jetën e tyre, kanë frikë se digjen nga partia ata që mund të marrin vota popullore. A e ka PD një emër përbashkues për Tiranën?
Për kulturën tonë
Jemi shoqëri që ngopemi me show dhe propagandë. Vijojmë kulturën e nënshtrimit ndaj më të fortit. Nuk ka kurrfarë rëndësie individi apo mendimi, nëse partia apo lideri vendos. Nëse ‘njësh-i’ flet, nuk ka rëndësi as e drejta, as e vërteta, as ligjorja. Zoti të ndihmoftë! Përse ndodh gjithmonë kështu me ne?
Për të ardhmen
E zymtë, e pashpresë, e njëllojtë. Dielli shihet që në mëngjes. Ju çfarë mendimi keni?






