Shtetasit e huaj blenë 253 milionë euro prona në Shqipëri në gjysmën e parë të këtij viti duke shënuar një rekord të ri historik. Të dhënat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, blerjet e pronave nga të huajt në Shqipëri u rritën me 37.5 për qind.
Pasuritë e paluajtshme janë shndërruar në një nga zërat kryesore të fluksit të investimeve që vijnë nga jashtë. Sipas BSH në gjysmën e parë të vitit, në çdo tre lekë që erdhën si investim i huaj, një lek ishte në sektorin e pasurive të patundshme.
Të dhënat tregojnë se nëse investimet në blerjen e pasurive të paluajtshme do të ruajnë ritmin e gjashtëmujorit të parë, këtë vit Shqipëria mund të kap shifrën e gjysmë miliardë euro investime të huaja në pasuri të patundshme. Këto janë investime, që nuk kufizohen vetëm në blerje apartamentesh, vilash apo trojesh, por përmbajnë dhe investime në sektorin e turizmit.







