Ballina Politika Pesë pyetje për Bujar Kapexhiun

Pesë pyetje për Bujar Kapexhiun

91
0

Nga Agim Xhafka 

1-Pse Tabaku dhe Alimehmeti hezitojnë të vendosin kandidaturën për kryetar bashkie në Tiranë?

-Jo Tabaku dhe Alimehmeti, por çdo krijesë tjetër jashtë gardhit socialist me mend në kokë nuk duhet të pranojë të kandidojë duke ditur katrahurën dhe marifetet e zgjedhjeve. Sikur edhe vetë Zoti të vijë në tokë i zgjedhur si kandidat për kryetar bashkie për Tiranën nuk do të pranojë. Nga që zgjedhjet në këtë truall të shenjtë janë të mbrapshta, me marifete, me presione, me blerje, me vjedhje dhe  me tjetërsime prandaj Ai ka vendosur që në krye të dy librave të shenjtë Bibla dhe Kurani që lexohen në Shqipëri të shkruajë frazën: ‘Me Edi Ramën nuk bëhen zgjedhje!’

2-Aeroporti i Vlorës u bë si i Kukësit, asnjë avion nuk u ul. Mos pritet ta inaugurojë ndonjë charter që do zbresë atje më 1 prill?

-Aeroporti i Kukësit dhe i Vlorës nuk u bënë për t’u ulur e për t’u ngritur në fluturim avionët, por për të fluturuar paratë e taksapaguesve shqiptarë e për t’u ulur ato në aeroportet personale dhe në xhepat e qeveritarëve që firmosin për këto projekte.

3-Pensionistët shqiptarë nisën të punojnë sërish nga që rinia iku jashtë. Mos është fat për Ramën që të mos ua rrisë pensionet nga që tani ata marrin dhe rrogë?

-Që pensionistët punojnë bëjnë mirë se me punë u shtohet jeta dhe kuleta, ndërsa për sa i takon Ramës ai do të jetë me fat që pensionet t’i shtojë se për çdo pensionist  vjen një çast i lumtur që në bisedë me njëri-tjetrin krenohen e mburren duke shqiptuar frazën e harruar…’edhe mua m’u ngrit’. Pensioni, mo. Pensioni.

4-Mendon se Erion Veliaj u hoq përdhunshëm e do ta thotë dhe ai frazën e Kadri Hazbiut:’Partia ime më dënoi’?

-Nuk ka rëndësi forma. Ai u hoq. Sot për të të hequr qafe ka lloj lloj formash, nga më të ndryshmet, nga më të thjeshtat deri më të ndërlikuarat. Brenda ligjit, jashtë ligjit, anash ligjit, rreth ligjit, ndërmjet ligjit, tej ligjit dhe më aktualja, futja kot ligjit. Veliaj nuk respektoi ligjin prandaj dhe ligji nuk e respektoi Veliajn. Të dy janë të fajshëm, por ai që e pëson përherë është personi, se ligji sado i padrejtë dhe i mbrapshtë të jetë ai përsëri ka të drejtë. Çdo ligj i shtrembër është i drejtë.

5-Një anketë së fundi tregon se shumica e shqiptarëve duan të emigrojnë. E kanë drejt, apo gabim?

-Ikin shqiptarët. Ju më pyesni a kanë të drejtë apo gabim? Unë them se çdo veprim i tyre është e drejta e tyre. Unë nuk i gjykoj për veprimin që ndërmarrin. Gjykoj për situatën në vend dhe kam mendimin se gabim e kam unë që rri akoma këtu. Ama e kam deklaruar do kohë më parë se nuk do të largohem kurrë që kur të shkruajnë për Shqipërinë të thonë të vërtetën; në Shqipëri jetojnë edhe shqiptarë.