Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka përjashtuar mundësinë që forca e tij politike të mbështesë një kandidat të opozitës për Bashkinë e Tiranës, edhe nëse ai vjen nga shoqëria civile, për sa kohë që në krye të Partisë Demokratike ndodhet Sali Berisha.
I ftuar në emisionin Quo Vadis të Pranvera Borakajt në “Vizion Plus”, Muçi theksoi se “çdo kandidat i opozitës në këto kushte është vetëm një vegël e Sali Berishës”.
“Në qasjen tonë, bekimi më i madh i Ramës është që në krye të PD është Sali Berisha. Kushdo qoftë kandidat i PD-së, nuk do të mbështetet nga Lëvizja Bashkë”, deklaroi Muçi.
Ai shtoi se nëse do të ndodhte një bashkëpunim i mundshëm me opozitën, kushti i vetëm i panegociueshëm do të ishte largimi i Berishës nga drejtimi i demokratëve.
Muçi rikujtoi se Lëvizja Bashkë garoi në zgjedhjet e vitit 2023 në Tiranë, duke marrë rreth 14 mijë vota, dhe theksoi se objektivi i saj është të shumëfishojë mbështetjen elektorale, duke mbajtur një qëndrim të qartë kritik si ndaj Ramës, ashtu edhe ndaj Berishës.
Deputeti u shpreh se pret surpriza në zgjedhjet e ardhshme, sidomos në Tiranë, duke përmendur shembuj nga vende të tjera ku, sipas tij, pavarësisht dominimit të një autokrati në nivel kombëtar, bashkitë janë fituar nga forca të tjera politike.