Shkencëtarët holandezë kanë zbuluar se mushkonjat preferojnë gjakun e njerëzve që kanë konsumuar disa gota birre, ndër të tjera zakone.
Ekipi, i drejtuar nga Felix Hol i Universitetit Radboud Nijmegen në Holandë, u vu në kërkim të përgjigjes për pyetjen “pse disa njerëz tërheqin më shumë pickime mushkonjash se të tjerët,”sipas një punimi të publikuar në BioRXiv.
Për të zbuluar prirjen e dukshme të mushkonjave për “birrën e kuqe,” studiuesit morën mijëra mushkonja femra në festivalin muzikor Lowlands, një event i përvitshëm në Holandë, raportoi Phys.org.
Ata ngritën një laborator të improvizuar dhe rekrutuan 500 pjesëmarrës nga festivali, të cilëve u bënë pyetje lidhur me dietën, higjienën dhe sjelljen e tyre.
Këta “kavie njerëzore” më pas vendosën krahët e tyre në një kuti të ndërtuar posaçërisht, e mbushur me insektet gjakpirëse, me vrima të vogla që lejonin mushkonjat të nuhasnin, por jo të pickonin, si një bankë gjaku e çuditshme.
Studiuesit përdorën kamera për të regjistruar sa mushkonja uleshin në krahun e tyre, dhe për sa kohë, krahasuar me ushqyesin e sheqerit që ndodhej në anën tjetër të kafazit. Rezultatet u analizuan më pas krahasuar me përgjigjet e pyetësorëve të vullnetarëve.
Ekipi zbuloi se ata që kishin pirë birrë ishin 1.35 herë më tërheqës për këto krijesa vampirike sesa ata që nuk kishin pirë.
Dhe kjo nuk ishte e gjitha, këta bartës sëmundjesh ishin gjithashtu më të prirur të synonin vullnetarët që kishin fjetur me dikë natën e mëparshme, ata që përdornin më pak krem kundër diellit dhe që nuk laheshin shpesh.
“Zbuluam se mushkonjat tërhiqen nga ata që shmangin kremin kundër diellit, pinë birrë dhe ndajnë shtratin,” përfundoi ekipi teksa diskutonte këto të dhëna. “Ato thjesht kanë një shije për hedonistët mes nesh.”
Nuk është alkooli ai që i tërheq mushkonjat, tërheqja e tyre lidhet krejtësisht me erën.
“Njerëzit që kanë pirë alkool gjithashtu sillen ndryshe, sigurisht,” tha Hol në një intervistë për programin radiofonik holandez Vroege Vogels, sipas Forbes. “Në një festival si Lowlands ata mund të kërcejnë më me gjallëri, gjë që mund ta ndryshojë gjithashtu aromën e trupit të tyre.”
Në fakt, studimet kanë treguar se këto krijesa bezdisëse tërhiqen aq shumë nga era e trupit sa mund t’i gjejnë njerëzit deri në 100 metra larg sapo të marrin erë.
Sigurisht, ka disa të meta në këtë studim, kryesisht mungesa e një kampioni më të larmishëm.
Ekipi vuri re se njerëzit që marrin pjesë në festivale muzikore si Lowlands priren të jenë më të rinj dhe më të shëndetshëm.
Për të përcaktuar më saktë dashurinë e supozuar të mushkonjave për adhuruesit e birrës, studiuesit do të duhet të zgjerohen përtej festivaleve muzikore dhe të shohin si reagojnë mushkonjat ndaj grupeve të tjera shoqërore.
Ndërkohë, nuk do të ishte keq të ulni pak konsumin e alkoolit, të përdorni krem kundër diellit dhe të bëni dush më rregullisht.