Ballina Ekonomia Shpërndahen fondet e skemës kombëtare të bujqësisë/ Qeveria jep nga 500 euro...

Shpërndahen fondet e skemës kombëtare të bujqësisë/ Qeveria jep nga 500 euro për fermer

23
0

Rreth 23,396 fermerë në të gjithë vendin kanë arritur të marrin financim, pasi janë shpallur fitues në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësisë.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë,  disbursimi i fondeve të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025 vijon intesivisht, ku deri më tani janë shpërndarë rreth 1,13 miliard lekësh apo 11 milionë euro, ndërsa pagesat për përfituesit e tjerë janë në proces.

Masat e Skemës Kombëtare 2025 përfshijnë: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta); zhvillimin e bletarisë; mbështetje për farë, fidanë dhe inpute të tjera; kultivimin e bimëve mjekësore-aromatike; fermat organike; certifikimin Global GAP; ⁠mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

69.917 aplikime janë regjistruar në e-Albania nga fermerët apo Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor për të pasur akse nga fondet e vëna në dispozicion për financimin e sektorit bujqësor përmes Skemës Kombëtarë të Mbështetjes 2025.

Më shumë aplikime janë regjistruar për skemën e naftës, me afro 52.837 aplikime, ndërsa interes të lartë ka pasur edhe për blegtorinë dhe bletarinë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural,  për masat 1-7 janë në total janë 7272 fermerë përfitues.

Përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2025, synohet ulja e kostove të prodhimit për fermerët, rritja e rendimentit dhe fuqizimi i  prodhimit MadeinAlbania duke forcuar konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill dhe janë mbyllur me 30 maj 2025.

Fondi është 3.2 miliardë lekë dhe i është dhënë më shumë financimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat do mund të përfitojnë në masën 100%.

Mbi 67 mijë fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar financim nga Skema e Subvencioneve në bujqësi përgjatë vitit 2024, nga të cilët 14,937 përfitues nga skema kombëtare si dhe 52,195 të planifikuar nga skema e subvencionimit të naftës për bujqësinë.