Ballina Kosovë Osmani mban fjalim para ushtarëve amerikanë: Në ditët më të errëta të...

Osmani mban fjalim para ushtarëve amerikanë: Në ditët më të errëta të Kosovës, SHBA nuk na la vetëm

35
0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë Amerikane, ku ka folur për rrugëtimin historik të Kosovës – nga mbijetesa e dhimbshme deri te liria – si dhe për aleancën e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fjalës së saj, Osmani theksoi rolin vendimtar të SHBA-së dhe NATO-s në çlirimin e Kosovës dhe në ndërtimin e saj si një shtet i lirë dhe demokratik.

“Isha një vajzë e re kur Kosova po përballej me një luftë gjenocidale të Millosheviqit. Ishte një kohë kur ne po detyroheshim të largoheshim nga shtëpitë tona, kur më të dashurit tanë po vriteshin para syve tanë, dhe kur fëmijëria jonë ishte thjesht në luftë dhe konflikt”, u shpreh Osmani.

Në vijim, ajo theksoi mbështetjen jetike të SHBA-së:

“Në orët më të errëta, Amerika qëndroi me ne. Ishin ushtarët amerikanë bashkë me vendet aleate të NATO-s, që dëshpërimin në Kosovë e kthyen në shpresë, frikën në siguri dhe okupimin në liri”, tha tutje Osmani.

Në fund të fjalimit, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme amerikane, duke theksuar se lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së është historike dhe e pashkëputshme.