Ballina Lifestyle Shmanget tragjedia në TKOB, soprano Eva Golemi rrëzohet në skenë pasi tenori...

Shmanget tragjedia në TKOB, soprano Eva Golemi rrëzohet në skenë pasi tenori italian harroi ta priste

40
0

Një incident i frikshëm është shënuar në Teatrin e Operas dhe Baletit, por për fatin e mirë pa pasoja në jetë njerëzish. Premiera e operas “Traviata” me personazhe kryesore Eva Golemi dhe tenorin italian, Alfredo shkoi më së miri deri në aktin e tretë.

Interpretimi fantastik i bëri të gjithë të pranishmit për vete deri në momentin kur ndodhi incidenti. Newsbomb.al shkruan se në skenën kur personazhet Violeta ndërron jetë duke rënë në krahët e Alfredos, tenori italian i veshur me rolin e këtij te fundit, harroi ta priste Evën.

Siç mësohet, soprano bëri një rënie spektakolare të tmerrshme duke u detyruar mbërritjen me urgjencë të ambulancës. Për fatin e mirë, nuk pati dëme serioze në shëndet. Siç tregojnë të pranishmit, premiera nisi në mënyrë spektakolare duke bërë që të gjithë të përfshiheshin menjëherë me rolet e protagonistëve.

“La Traviata” e autorit Giuseppe Verdi është shfaqja që çeli sezonin e ri në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Shfaqja operistike erdhi si një produksion me regji të Hugo de Ana e do të vijojë të ngjitet edhe për tre netë të tjera në skenë.

Ajo është Violeta, gruaja që sfidoi normat e kohës dhe guxoi të jetojë dashurinë e saj deri në fund. Bëhet fjalë për personazhin aq shumë të njohur të operës “Traviata” të Giusepe Verdit, e që mbrëmjen e së premtes i është dhënë jetë nën interpretimin e sopranos Eva Golemi.

“Violetën e luaj më tepër se 70 herë dhe është një nga rolet e mija më të dashura. Por ky produksion në fakt është shumë i veçantë për mua sepse është i regjisorit të madh Hugo De Ana”,ishte shprehur sopranoja Eva Golemi, para shfaqjes.

Shfaqja shënoi çeljen e sezonit të ri për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit ndërsa erdhi sipas vizionit të regjisorit me famë botërore, Hugo de Ana.

Nën vizionin e tij artistik, historia e Violetës merr jetë përmes një skenografie monumentale dhe një gjuhe vizuale që tejkalon kohët, duke e sjellë këtë kryevepër deri në ditët tona.

Krahas Eva Golemit, e cila e ka interpretuar rolin e Violetës mbi 70 herë në skenat më prestigjioze, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ky personazh vjen i interpretuar nga sopranoja Zuzana Markova, një nga zërat më të kërkuar të repertorit belkanto dhe më 28 shtator nga sopranoja Nina Muho.

Ky produksion, i sjellë nga Teatri i Zagrebit do të jetë pjesë e një shfaqjeje të jashtëzakonshme për publikun shqiptar, duke e vendosur Teatrin tonë të Operas në të njëjtin nivel me teatrot prestigjiozë që kanë pasur privilegjin të bashkëpunojnë me mjeshtrin Hugo de Ana.

“Traviata”, sipas kalendarit, do të vijojë të shfaqet edhe sonte dhe më pas TKOB-it do të vijojë me një seri koncertesh simfonikë, ku mund të përmendim atë me violinistin Giuseppe Gibboni apo koncerti i Beethovenit me violinistin Jonian Kadesha. Ndërsa sa i përket shfaqjeve të baletit, sezoni hapet me edicionin e 4-t të “International Dance Festival”, ku spikasin një homazh për muzikën e Ennio Morricone dhe rikthimi i magjisë së “Arrëthyesit”.