Ballina Bota Bregu Perëndimor po zhduket/ Dror Etkes: Erdha si studiues, mbeta dëshmitar i...

Bregu Perëndimor po zhduket/ Dror Etkes: Erdha si studiues, mbeta dëshmitar i gjenocidit!

37
0

Në rrugicat më të fshehta të Bregut Perëndimor, studiuesi izraelit Dror Etkes lëviz me sigurinë e atij që është mësuar me gropa dhe rrugë të pashtruara.

Makina e tij e lartë, në ngjyrë të hapur dhe e vjetëruar nga rrugët e paashtruara, por ende funksionale.

Rregulli numër një i Etkes, që duhet për të hipur në makinë me të është të tërheqësh sa më pak vëmendje. Në fotot e tij, bie në sy blloku i i shënimeve, syzet e diellit dhe kapelja.

“Ata e dinë kush jam dhe çfarë bëj. Jemi takuar disa herë dhe nuk ka qenë e këndshme”, thotë ai.

“Ata” janë të ashtuquajturit “djemtë e kodrave”, grupi më radikal dhe më i dhunshëm i kolonëve izraelitë.

Një pjesë e shoqërisë që, sipas shkrimtarëve të njohur Abraham Yehoshua dhe David Grossman, ka shkaktuar kaosin nga brenda Izraelit që prej vitit 1967, duke diktuar agjendën politike me synimin te pushtimi i territoreve.

Me mbështetjen e qindra mijëra kolonëve të vendosur në zonat e mëdha të pushtuara dhe të shumicës së qeverive të viteve të fundit, ata kanë bërë pothuajse të pamundur krijimin e një shteti palestinez.

Etkes i njeh këto territore deri në detaj.

Ai di çdo gjë për barakat, karvanët dhe fshatrat e rinj që shfaqen nëpër kodra: kush i ka ngritur, cilët beduinë u dëbuan për t’ua lënë vendin, kur nisën ndërtimet dhe sa janë zgjeruar. Ai di edhe emrat e kolonëve më të dhunshëm, ku jetojnë dhe cilat zona kontrollojnë.

Me dylbi, harta dhe telefon me vete, Etkes përshkon çdo muaj të gjitha kodrat e Bregut Perëndimor, duke përditësuar një bazë të dhënash të organizatës së tij Kerem Navot. Ky është sot arkivi më i plotë mbi shtrirjen e kolonive izraelite.

“Nisi 23 vjet më parë, fillimisht si pjesë e një projekti akademik, por më pas u bë jeta ime!“, tregon ai.

Një jetë aspak e lehtë…

56-vjeçari udhëton zakonisht vetëm, sepse e ndalojnë dhe kërcënojnë shpesh, dhe nuk do të vërë të tjerët në rrezik.

“Kolegia ime e fundit iku në Kanada vitin e kaluar. Nuk e përballoi dot. Nuk është e lehtë të shohësh fshatra që zhduken, shtëpi që digjen, njerëz që vriten para syve të tu dhe askush nuk ndëshkohet. Ne jemi dëshmitarë të një gjenocidi“, rrëfen ai.

Skenari i pushtimit përsëritet gjithnjë në të njëjtën mënyrë.

Fillimisht vendoset një karvan me një ose dy persona, më pas vijnë lopët apo kuajt, pastaj një barakë tjetër. Shumë shpejt ngrihet një gardh, për të cilin policia nuk ndërhyn kurrë. Pason ndërtimi i një rruge dhe zgjerimi i mëtejshëm.

Banorët palestinezë kërcënohen, sulmohen, rrihen, madje edhe vriten.

Sipas OKB-së, që prej 7 tetorit 2023, në Bregun Perëndimor janë vrarë 994 palestinezë, shumica nga operacionet e ushtrisë, por 29 prej tyre nga dhuna e kolonëve.

Nga ajo ditë, sipas të dhënave të Etkes, 97 komunitete beduine, me mbi 3 mijë persona, janë detyruar të largohen nga tokat e tyre. Ata janë zhvendosur nëpër qytete e fshatra të bllokuar nga një sistem me barriera dhe postblloqe që Izraeli i hap e i mbyll sipas dëshirës, sipas hartës së re të prezantuar nga ministri i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich.

Deri disa vite më parë, thotë Etkes, ishte i bindur se ky proces mund të kthehej pas, se Izraeli do të detyrohej të linte tokat e zëna. Sot nuk është më i sigurt.

“Ju në Evropë flisni për dy shtete, por këtu nuk ka më hapësirë fizike për t’i ndërtuar ato. Nëse me të vërtetë doni ta mbroni këtë ide, atëherë duhet të kuptoni se vetëm kur çmimi që Izraeli do të paguajë të bëhet i papërballueshëm, sistemi do të shembet. Duhet sanksione. Të ashpra, të menjëhershme! Vetëm kështu mund të shpëtojmë atë që ka mbetur nga shteti palestinez“, përfundon ai./La Republika