Ballina Sport ​I pakënaqur me zëvendësimin, Conte i përgjigjet De Bruyne

​I pakënaqur me zëvendësimin, Conte i përgjigjet De Bruyne

31
0

Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka folur pas disfatës në kampionat ndaj Milanit, duke pranuar se skuadra e tij duhet të përmirësohet sidomos në fazën mbrojtëse.

“Çfarë nuk më pëlqeu? Mund të përmirësojmë situatat ku pësuam gola; është çështje ekipi. Mund të kishim bërë shumë më mirë, sidomos në mbrojtje. Nëse pësojmë gola që nuk janë të pandalshëm, do të thotë se kemi hapësirë për përmirësim. Do ta analizojmë,” u shpreh Conte.

Megjithatë, ai vlerësoi qasjen e lojtarëve të tij ndaj ndeshjes: “Kundër Milanit në San Siro kërkuam gjithmonë të fitonim topin dhe bëmë presion lart. Krijuam mundësi për shënim. Nuk është për të gjithë, por jam i kënaqur sepse kjo është rruga që na çoi në sukses të madh sezonin e kaluar.”

Sa i përket zëvendësimit të Kevin De Bruyne, tekniku tha se shpreson që belgu ishte i mërzitur me rezultatin dhe jo me vendimin e tij. “Nëse ishte për zëvendësimin, atëherë zgjodhi lojtarin e gabuar. Shpresoj se ishte thjesht zhgënjim nga rezultati,” shtoi ai.

Duke folur për fazën ofensive, ai pranoi se Napoli ka shënuar më pak se zakonisht: “Nëse shikojmë sezonin e kaluar, kemi shënuar më shumë gola. Edhe sot mund të kishim shënuar disa herë. Në tre ndeshjet e fundit kemi pësuar pesë gola; duhet të përmirësohemi, sepse në sulm dhe në mbrojtje kontribuon i gjithë ekipi.”

Trajneri theksoi se pavarësisht humbjes, ekipi i tij ka marrë sinjale të rëndësishme dhe se integrimi i lojtarëve të rinj do të jetë çelësi për ecurinë në vazhdim të sezonit.