Ballina Ekonomia “Kufizimet” nuk e ndalin kredinë për blerje banese/ Gushti shënon rritje për...

“Kufizimet” nuk e ndalin kredinë për blerje banese/ Gushti shënon rritje për individët, huaja për bizneset vijon tkurrjen

37
0

Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë ka arritur në 900.5 miliardë lekë në Gusht të vitit 2025, me një rritje të konsiderueshme prej 11%, krahasuar me Gushtin e vitit të kaluar, dhe një rritje prej 0.8%, krahasuar me Korrikun e po të njetit vit. Pra, nëse flasim në shifra absolute, rezulton se në harkun kohor të një viti regjistron një rritje prej 88 miliardë lekësh.

Ndërkohë, nga ana tjetër, kredia e re e dhënë nga sistemi bankar ka arritur në vlerën e 40.7 miliardë lekësh, duke shënuar një rënie prej 1.7%, krahasuar me një vit më parë.

Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga huaja e re për korporatat jofinanciare private, pra bizneset, vlera e së cilës arriti në 30.8 miliardë lekë, nga 33 miliardë lekë një vit më parë. Rënia vlerësohet në rreth 2.5 miliardë lekë, ose gati 7.7% më shumë në terma vjetorë.

Nga ana tjetër, individët dhe institucionet që u shërbejnë atyre kanë rritur huamarrjen në mënyrë të ndjeshme. Kreditë për këtë kategori u rritën nga 7.94 miliardë lekë në 8.83 miliardë lekë, me një rritje prej 11.2% krahasuar me Gushtin e vitit 2024. Kjo tregon një rritje të konsiderueshme të kërkesës për kredi nga individët, duke arritur rekord historik nëse marrim në analizë të njetin muaj të viteve të mëparshme.

Për sa i përket huave për blerje banesash, ato regjistruan një tjetër muaj me rritje të qëndrueshme, pavarësisht kufizimeve. Në Gusht të vitit 2025 u dhanë 4.35 miliardë lekë kredi për blerje banesash, duke u rritur me rreth 10.4%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Mesa duket, këtë muaj kreditë për shtëpi vijojnë të rriten ndjeshëm, duke treguar qartë tendencat e shqiptarëve për blerje pronash.

Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë një rritje të fortë të kreditimit në të gjitha segmentet, veçanërisht në atë të individëve dhe të sektorit të banesave. Ky trend reflekton një kërkesë të shtuar për financime personale dhe investime në pasuri të paluajtshme. Kredia në lekë ze peshën më të madhe, por gjithashtu ka shënuar edhe rritjen më të lartë.