Ballina Opinion Pse Sali Berisha është kandidati i duhur dhe i vetëm i opozitës,...

Pse Sali Berisha është kandidati i duhur dhe i vetëm i opozitës, për Tiranën!

0
48

Nga Neritan Vladi 

Tashmë nuk fshihet më që Partia Demokratike dhe aleatët e saj​, po përjetojnë një krizë të fortë për gjetjen e një emri dinjitoz dhe konkurues, si kandidat në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e bashkisë Tiranë. Ndërkohë që Rama dhe PS e kanë nominuar pretendentin për postin e Erion Veliajt, kanë ngritur shtabet elektorale, e madje po punojnë në terren, PD po bën sikur konsultohet me Fatmir Mediun, Tedi Blushin e pse jo, edhe me Kujtim Gjuzin.

Pra PD po negocion me vetveten! Dy figura të spikatura të cilat e tejkalojnë popullaritetin e militantëve në kryeqytet, si Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, kanë refuzuar të futen në garë. Në këtë situatë duket sikur PD po hyn në zgjedhjet e Tiranës me zor dhe sa “për sy e faqe”.

Por beteja për kryeqytetin në një kohë kur Edi Rama shfaqet si i plotfuqishëm dhe i pakonkurueshëm, ka rëndësi historike për opozitarizmin shqiptarë. Njeriu i cili rimori Partinë Demokratike me slloganin se vetëm ai mund ta rrëzojë “Regjimin e Ramës”, tani ka një shans dhe një kartë, (Të fundit), të tregojë veten dhe fuqinë e PD me atë në krye.

Sali Berisha si kandidat i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës do të ishte një lëvizje e guximshme, burrështetase dhe madje “legjendare”, siç është ai vetë në mendjet dhe zemrat e berishistëve. Në rradhë të parë kjo lëvizje do të interpretohet si një përpjekje e sinqertë e Sali Berishës, për të adresuar disa sfida të brendshme dhe të jashtme me të cilat po përballet opozita.

Është ​mënyra më e saktë dhe më e shpejtë, për të testuar mbështetjen e vërtetë që ai ka jo vetëm brenda PD, por edhe te votuesit e kryeqytetit.

​Kandidimi i Berishës do të funksiononte si një referendum jozyrtar për mbështetjen që ai gëzon ende, pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje. Një rezultat i fortë në Tiranë do të legjitimonte pozicionin e tij si lider i padiskutueshëm i opozitës dhe do të shërbejë si një mesazh i qartë, se Partia Demokratike është e bashkuar nën udhëheqjen e tij. Nga ana tjetër, një rezultat i dobët, do të krijonte presion dhe mundësinë, për ndryshime të thella brenda partisë.

​Me praninë e tij, Berisha ka shansin të tregojë tani shpejt, se mund të arrijë të mobilizojë votuesit tradicionalë të djathtë dhe të tërheqë ata që janë të zhgënjyer nga figura kryesore të partisë. Janë të shumtë ata që pretendojnë se fajin për këtë katandisje të PD, e ka kushdo përveç Berishës, i cili sipas tyre, punon shumë. Si kandidat për Tiranën, Berisha, ka mundësinë ta vërtetojë këtë gjë.

​Betejën e tij të përditshme në konferenca me gazetarët kundër qeverisë, si kandidat për Tiranën, Berisha do të kishte mundësinë ta kthente në një aksion të vërtetë mobilizimi të partisë dhe opozitës. Ai ka një shans historik që të kthejë zgjedhjet lokale në një platformë kombëtare kundër qeverisë, duke e shndërruar betejën për bashkinë, në një betejë për fatin e vendit. Kjo do t’i jepte zë shqetësimeve për korrupsionin, varfërinë dhe problematikat e qeverisjes, dhe do të vendoste në qendër të vëmendjes përplasjen e drejtpërdrejtë të tij me Edi Ramën, si kreu i një “narkoshteti”, siç e akuzon çdo ditë në orën 12.30 nga selia e PD.

​Gjithashtu, duke marrë përsipër sfidën për Tiranën, Berisha do të tregonte se ai nuk tërhiqet nga betejat e vështira dhe se është i gatshëm të ndeshet direkt me pushtetin. Kjo do të ndihmonte në ringritjen e imazhit të opozitës si një forcë e vendosur dhe do të shfaqej, si një alternativë e fortë politike.

Edhe pse kandidimi i Berishës përmban rreziqe të larta për një humbje, një lëvizje e tillë mund t’i japë një shans të fundit opozitës për të ringjallur energjinë dhe shpresën e humbur. Përballë një kandidati kukull të Edi Ramës siç është Manastirliu, një kandidim i Sali Berishës mund të shndërrojë garën në një betejë historike, që do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e Tiranës, por edhe drejtimin e opozitës në vitet në vijim.

Berisha e ka mundësinë e artë që në fushatën për Tiranën, të krijojë një shtab elektoral me gjithë deputetët e opozitës dhe dhe ta kthejë këtë përballje, në një mundësi historike për “fillimin e fundit” të Edi Ramës. Edhe një humbje dinjitoze, do të ishte një zjarr i parë për shpërthimin e flakëve të opozitarizmit dhe të PD, të cilat aktualisht ngjajnë si të zhytura në koma. Në fund të fundit këtë “sakrificë”, ai jua ka borxh ndjekësve të tij, të cilët në këto 4 vite të vështira për atë në raport me ndërkombëtarët dhe drejtësinë, vetëm jetët e tyre, nuk ja kanë dhënë ende!