Më 2 tetor 2017 ndërroi jetë albanologu Robert Elsie.
Studiuesi gjerman me origjinë kanadeze duke e studiuar imtësisht gurrën popullore shqiptare, nxori në pah tiparet dalluese të kombit në rrjedhë të shekujve. Vepra e konsiderueshme që la pas përbën një pasuri ndërdisiplinore, që përfshin trashëgiminë shpirtërore, kulturore, historike dhe gjuhësore të popullit shqiptar.
Publikimet më të rëndësishme të Elsie-së në mesin e veprimtarisë së tij të gjerë kërkimore dhe shkencore janë studime mbi etnografinë, etnologjinë, antropologjinë, filologjinë e tekstit, historinë e shkrimeve, gjuhësinë, etnokulturën, letërsinë gojore dhe të shkruar, besimet, kultin dhe shkrimet e shenjta. Mes tyre veçojmë:
“Migjeni, Freie Verse”, një përkthim gjermanisht i veprës së poetit të mjerimit, Migjenit; “Anthology of modern Albanian poetry” (1993), një antologji e letërsisë bashkëkohore shqiptare; “History of Albanian literature” (1995, 1997, 2001), histori e letërsisë shqiptare; “Der Kanun” (2001), një përkthim i Kanunit; “Historical Dictionary of Albania” (2004, 2010), fjalor historik për Shqipërinë; “Historical Dictionary of Kosova” (2004, 2011), fjalor historik i Kosovës; “Albanian literature: a short history” (2005, 2006), histori e shkurtër e letërsisë shqipe dhe “Fjalori historik i Shqipërisë” (2011).
Elsie ishte anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në hulumtimin e vlerave kombëtare, i janë akorduar titujt e nderit “Medalja e Mirënjohjes” (2013) dhe “Medalja e Artë ‘Lidhja e Prizrenit’”.
Vdekja e parakohshme e Robert Elsie erdhi nga sëmundja e rrallë e neuroneve motorike.
Ishte amaneti i tij që të prehej në fshatin turistik të Thethit, amanet i cili u përmbush, duke dëshmuar lidhjen e tij të fortë që kishte me tokën shqiptare.