Ballina Kosovë ​Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i...

​Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses

38
0

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kërkon nga partitë parlamentare të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit. Sipas tij, Kushtetuesja ishte shumë e qartë se legjislatura e nëntë nuk është konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Duke folur për KosovaPress, ai bën thirrje për formim të shpejtë të institucioneve të reja pasi, siç thotë ai, Kosovës i duhet një qeveri legjitime për të shtyrë përpara proceset euroatlantike.

Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë, mirëpo në njoftimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast që nuk kompletohen trupat e legjislativit.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Diplomati suedez thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, andaj duhet të respektohen vendimet e saj.

Westerlund: Të procedohet shpejt për zgjedhjen e një nënkryetari

“Gjykata Kushtetuese ka dhënë një deklaratë shumë të qartë për këtë. Parlamenti nuk është konstituuar, por në vend të kësaj, duhet të procedohet me emërimin e një nënkryetari nga një prej komuniteteve jo-shumicë. Nuk kam ndonjë mendim për vetë përmbajtjen, por jam shumë i kënaqur që kjo është një deklaratë mjaft e qartë nga Gjykata Kushtetuese. Tani, mos harroni që Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, dhe duhet t’i përmbahemi asaj dhe të respektohen të gjitha vendimet”, thekson ai.

Westerlund thotë për KosovaPress se Kosovës i duhet një qeveri legjitime në mënyrë që vendi të përqendrohet në anëtarësimin në Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe NATO.

Duke e konsideruar të domosdoshme formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ambasadori përmend Shqipërinë dhe Malin e Zi, që sipas tij po ecin përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Westerlund: BE-së i duhet një qeveri në Kosovë për aspiratat euroatlantike

Ne po shohim tani që Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara ndoshta për t’u bërë anëtarë të BE-së pas disa vitesh. Kosova duhet të nisë të njëjtin proces, të përqendrohet në këtë, të përqendrohet në anëtarësimin në BE, të përqendrohet në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të përqendrohet në anëtarësimin në NATO. Ata kanë mbështetjen tonë për këto aspirata, por me të vërtetë u duhet një qeveri dhe të përqendrohen në anëtarësimin në BE”, shton diplomati suedez.

Krahas kësaj, ambasadori i Suedisë në Kosovë flet edhe për fillimin e largimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Bashkimi Evropian, që nga muaji qershor i vitit 2025, ka nisur heqjen graduale të masave, ku kanë filluar takimet në kuadër të MSA-së dhe lirimin e disa fondeve në projekte si energjia dhe digjitalizimi.

Westerlund thotë se heqja e masave në formë graduale do të vazhdojë, por duhet të shohin të ardhmen se çfarë do të ndodhë në heqjen totale të masave.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, si pasojë e tensioneve në veri të vendit.

Westerlund: Heqja graduale e masave ndaj Kosovës do të vazhdojë

“Ne tashmë kemi vendosur për një heqje graduale të masave, dhe ajo heqje graduale do të vazhdojë. Por do ta shohim në të ardhmen, do ta shohim në të ardhmen se çfarë do të ndodhë”, potencon ai.

Në anën tjetër, ambasadori Westerlund, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, deklaron se posa të formohet qeveria në Kosovë duhet të ketë diskutime serioze në Bruksel për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Ai shton se është shumë i kënaqur me emërimin e diplomatit danez, Peter Sorensen, si emisar i BE-së për dialogun, duke thënë se i njëjti po ndërmerr hapa përpara në procesin e normalizimit.

Westerlund: Shpresoj të kemi një qeveri që të kemi diskutime serioze në dialogun Kosovë-Serbi

“Jam shumë i kënaqur që kemi një zë të ri të BE-së, që nga fillimi i këtij viti, Peter Sorensen. Ai po ndërmerr hapa përpara për procesin e normalizimit. Shpresoj që të mund ta përshpejtojmë procesin. Nuk kemi parë shumë progres këtë vit ende, ndaj shpresoj që të mund të kemi një qeveri në Kosovë dhe që të kemi diskutime më serioze në Bruksel mbi dialogun e normalizimit”, thekson ai.

Pavarësisht që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, në Bruksel janë mbajtur dy takime në nivel të kryenegociatorëve mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo që nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të dakorduar në vitin 2023.

Kosova nuk i ka themeluar institucionet e reja edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.