Portieri i Liverpoolit, Alisson Becker, do të mungojë për disa javë për shkak të një lëndimi në kofshë. Lajmin e konfirmoi trajneri Arne Slot, i cili tha se braziliani nuk pritet të kthehet para pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare të nëntorit.
Alisson u dëmtua në humbjen 1-0 ndaj Galatasarayt në Ligën e Kampionëve. Në mungesë të tij, portën do ta mbrojë gjeorgjiani Giorgi Mamardashvili.
“Alisson nuk është në skuadër për ndeshjen kundër Chelseat dhe nuk do të udhëtojë me Brazilin. Nuk besoj se do të jetë gati menjëherë pas pushimit ndërkombëtar”, tha Slot.
Liverpooli, që vjen nga dy humbje radhazi, do të përballet me Chelsean, ndërsa më vonë e presin sfida të mëdha kundër Manchester United, Manchester City dhe Real Madridit.
Slot u shpreh i kënaqur me alternativën në portë: “E dinim që po sillnim një portier cilësor dhe Mamardashvili po e tregon këtë.”