Qeveria e majtë e Spanjës ka propozuar që aborti të përfshihet si e drejtë kushtetuese, pasi këshilli bashkiak i Madridit informoi gratë lidhur me të ashtuquajturën “sindromë post-abort”.
Ky zhvillim kundërthënës ndodhi të martën, kur këshilli bashkiak i Madridit, i kontrolluar nga Partia konservatore Popullore (PP), miratoi një propozim të ekstremit të djathtë që kërkon nga institucionet shëndetësore të informojnë gratë që kërkojnë të bëjnë abort për këtë sindromë të pretenduar.
Propozimi pretendon se kjo sindromë mund të çojë në përdorimin e alkoolit dhe drogave, mendime për vetëvrasje dhe rritje të rrezikut për shfaqjen e kancerit.
Në propozim thuhet se informacionet mbi këtë sindromë të pretenduar po “fshihen me qëllim”, duke argumentuar se aborti është “biznes i madh” që po promovohet nga ideologjia feministe.
PP-ja fillimisht mbrojti masat, por pas reagimeve të shumta, kryebashkiaku i Madridit nga PP-ja, Jose Luis Almeida, e pranoi më 2 tetor se sindroma e post-abortit nuk është një “kategori e njohur shkencërisht”. Ai po ashtu tha se informimi i grave për të nuk do të ishte i detyrueshëm.
Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez, më 3 tetor akuzoi PP-në se “ka vendosur të bashkohet me ekstremin e djathtë” dhe njoftoi se planifikon të paraqesë një propozim në Parlament për ta mbrojtur me Kushtetutë të drejtën e abortit.
Reformat kushtetuese në Spanjë janë të vështira, pasi për ndryshime të saj kërkohet një shumicë prej tre të pestave në Parlament. Kjo i bie se për çdo ndryshim, Sanchez duhet të sigurojë mbështetje nga ligjvënësit e opozitës konservatore.
Spanja ka dekriminalizuar abortin më 1985 në rastet e përdhunimit, nëse fetusi është i deformuar, ose nëse lindja paraqet rrezik serioz fizik ose psikologjik për nënën.
Ligji u ndryshua më 2010 për të lejuar abortin sipas kërkesës gjatë 14 javëve të para të shtatzënisë.
Megjithatë, gratë spanjolle ende përballen me pengesa, pasi shumë mjekë në sektorin publik refuzojnë të kryejnë këtë procedurë.
Vitin e kaluar, Franca u bë shteti i parë në botë që e përfshiu në Kushtetutë të drejtën për të ndërprerë shtatzëninë. / REL