Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor Mustafa Lleshi, me detyrë trupë shërbimi në Bllokun e Sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Sipas njoftimit të AMP-së, arrestimi u bë pas informacioneve konfidenciale që tregonin se polici do të kryente një takim për blerjen e disa dozave kokaine, me qëllim shpërndarjen e tyre brenda ambienteve të Bllokut të Sigurisë, ku edhe ushtronte detyrën.
Gjatë kontrollit fizik, oficerit iu gjet një dozë kokaine me peshë 0.4 gram si dhe 70 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor M. L., me detyrë Trupë Shërbimi në Bllokun e Sigurisë në DVP Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzim i krimit”.
Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga të dhënat konfidenciale që dispononte Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë, ky punonjës do të kryente një takim për blerjen e disa dozave të lëndës narkotike e dyshuar kokainë, me qëllim shitjen më pas në ambientet e Bllokut të Sigurisë ku dhe ushtronte detyrën. Gjatë kontrollit fizik ju gjet një dozë nga lënda narkotike, e cila pas peshimit rezultoi në masën 0.4 gram dhe 70 euro, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale.
Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.