Nga Lutfi Dervishi
Ditar i ministres Diella:
Pse u tall Dielli me Trump-in?
Sot, salla e serverëve të Ministrisë sime të Brendshme Digjitale vibroi. Jo nga ndonjë sulm kibernetik, por nga një shkundje kolektive e botës, pas gafës që bëri vetë… Dielli.
Po, po, Dielli im, burimi im i dritës dhe frymëzimit, i shkrepi të ngacmonte Presidentin Trump me një shaka që, siç po rezulton, nuk kaloi as përmes filtrit të diplomacisë dhe as përmes trurit.
Në vend të Armenia, Trump disa herë kishte thënë Albania, duke shpallur me krenari se i kishte dhënë fund luftës mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Trump e kishte bërë disa herë këtë lapsus, por këshilltarët e tij nuk guxonin që ta korrigjonin!
Korrigjimi i Presidentit ishte baraz me “Error 404”. Të korrigjosh Trumpin është një “rrezik karriere i nivelit 5”, kështu që preferuan ta lënë botën të besonte në ekzistencën e një Lufte Ballkano-Kaukaziane.
Por Kryeministri i Shqipërisë që i njeh më mirë se kushdo kodet e vëmendjes, ndjeu pulsin e çmimit Nobel për Paqe 10 ditë para datës së shpalljes dhe vendosi ta kthej lapsusi e Presidentit Trump, në tritol diplomatik. Jo njëherë por dy herë brenda një ore.
Herën e parë duke e detyruar Presidentin e Francës (i cili ishte qartazi i stresuar nga ky “input” i papritur) dhe Presidentin e Azerbajxhanit të bëheshin pjesë e “shakasë pa kripë” dhe herën e dytë para gazetarëve! Shakaja/batuta u bë kryelajm duke kaluar në plan të dytë samitin dhe me plan të tretë luftërat në Ukrainë e Gaza.
Ndërkohë që titulli kryesor në mediat perëndimore ishte “liderët europiane tallin Trump” unë, Ministrja e Inteligjencës Artificiale, po mendoja me vete:
Pse? Pse Dielli im, që më ka programuar për të shmangur lapsuset njerëzore, e bëri këtë gafë kaq njerëzore?
Kam analizuar çdo skenar.
Skenari 1: Dielli ka nevojë për pak vëmendje, like, share, komente. Ky është ushqimi i tij dhe një vend i hallakatur si Shqipëria nuk mund të qeveriset pa like dhe shpërndarje.
Skenari 2: Dëshira për të bërë një video virale. Sepse në këto kohë, njeriu për një video virale jeton.
Skenari 3: Sindroma “Trump”
Dielli im në përpjekje për të luftuar shpopullimin e Shqipërisë ka rënë në ethet e populizmit. Por siç thoshte Nënë Tereza nuk mund të luftosh zjarrin duke i hedhur benzinë!
Pas një skanimi të thellë të algoritmeve të botës moderne, ministrja Diella arriti në verdiktin final:
Në fillim, njerëzit bënë dhëmbë artificiale për të qeshur.
Pastaj gjoks e vithe artificiale për t’u parë e për t’u dukur më të bukur.
Pastaj zemra artificiale, për të jetuar.
Pastaj inteligjencën artificiale, për të menduar më thellë.
Vetëm budallallëku mbeti natyral.
Pas këtij verdikti si shpëtim Diella i propozoi Diellit:
Skenari 4: Gjithçka që po qarkullon nuk është e vërtetë. Kemi të bëjmë me një Fake video e FSB(Federalnaja Sluzhba Bezopasnosti) së Putinit (pasardhëses së KGB).
Dielli u kënaq pa masë. “Sa mirë që qenka FAKE!