Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, ku një grua 71-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet i drejtuar nga një oficer i Policisë së Shtetit.
Viktima është identifikuar si Kostulla Harito, banuese në Gjirokastër. Sipas informacioneve paraprake, ajo sapo kishte zbritur nga autobusi i linjës Gjirokastër-Janinë, kur është goditur për vdekje nga një makinë që drejtohej nga një punonjës i policisë.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore, grupi hetimor si dhe përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Oficeri i përfshirë në aksident është shoqëruar në ambientet e policisë për t’u marrë në pyetje, ndërsa hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë e këtij rasti tragjik.
Policia njofton se po vijon puna për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.