Marcus Fakana, 19 vjeç, i cili tronditi Britaninë me rastin e tij vitin e kaluar, është vrarë në një aksident me makinë në veri të Londrës, vetëm tre muaj pas lirimit të tij nga një burg në Dubai.
Aksidenti ndodhi rreth orës 1 të mëngjesit të së premtes, kur makina me të cilën ai udhëtonte nuk u ndal në sinjalin e policisë. Pak më vonë, ai u përplas ballë për ballë me një automjet tjetër në The Roundway, Tottenham. Marcus u plagos rëndë dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë në spital.
Shoferi 19-vjeçar u arrestua me akuzën e drejtimit të rrezikshëm të mjetit dhe refuzimit për të ndaluar në sinjalin e policisë.
Rasti që shkaktoi një zemërim global
Marcus u burgos në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2024, pas një ankese nga nëna e një turisteje britanike 17-vjeçare me të cilin ai kishte pasur një marrëdhënie gjatë pushimeve në Dubai. Edhe pse marrëdhënia ishte konsensuale dhe vajza duhej të mbushte moshën madhore brenda një muaji, ligjet e rrepta të vendit çuan në arrestimin e tij dhe një dënim me një vit burg.
Rasti shkaktoi një reagim të ashpër, me grupin ligjor Detained in Dubai që mori mbrojtjen e tij dhe denoncoi dënimin joproporcional dhe kushtet çnjerëzore të paraburgimit. Pas presionit nga publiku britanik dhe kontaktet diplomatike, Marcus iu dha një falje mbretërore dhe u lirua në korrik 2025.
“Ai donte të fillonte nga e para”
Sipas Radha Sterling, themelueses së Detained in Dubai, Marcus kishte filluar të rindërtonte jetën e tij. “Ai ishte mirënjohës për mbështetjen që mori dhe kishte gjetur besimin në Zot dhe shpresën për të ardhmen. Është tragjike që ai nuk jetoi më shumë se tre muaj i lirë”, tha ajo.
Miqtë dhe familja e tij u mblodhën në shtëpinë e tij në Londër, të zhytur në pikëllim. “Ne luftuam për lirimin e tij dhe tani ai është humbur kaq padrejtësisht”, shkroi një mik i ngushtë në mediat sociale.
Policia Metropolitane po heton rrethanat e aksidentit dhe u ka bërë thirrje kujtdo që ka pamje vizuale ose informacione të kontaktojë autoritetet. Zyra e Pavarur e Mbikëqyrjes së Policisë (IOPC) është informuar gjithashtu, siç kërkohet në raste të tilla.
Marcus Fakana, i cili punonte në ndërtim, kishte shprehur keqardhjen e tij për rastin në Dubai, duke kërkuar “rimëkëmbjen e jetës së tij”. Siç doli, shans i dytë për të ishte jetëshkurtër.