Ballina Kuriozitete A mund t’i kërkojmë Inteligjencës Artificiale këshilla për çështjet e zemrës?

A mund t’i kërkojmë Inteligjencës Artificiale këshilla për çështjet e zemrës?

0
15

Në një epokë ku ndihma për çështjet e zemrës kërkohet po aq lehtë sa një kërkim në internet, gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen inteligjencës artificiale për të kuptuar ndjenjat, për të gjetur fjalët e duhura apo për të marrë një këshillë që nuk gjykon.

Rachel, një grua nga Sheffield-i, vendosi këtë vit të mos telefononte një mikeshë për të marrë këshilla apo sugjerime. Në vend të kësaj, ajo iu drejtua ChatGPT-së, pak para një bisede të vështirë me ish-partnerin. Donte të përballej me situatën pa u ndjerë e vetme dhe me njëfarë qetësie që, ndoshta, vetëm një “mendje artificiale” mund t’ia jepte.

“Ave kisha përdorur ChatGPT për kërkim pune, por kisha dëgjuar dikë tjetër që e përdorte për këshilla në takime”, thotë ajo. “Ndihem e shqetësuar dhe nuk doja t’i përfshija miqtë.”

Para telefonatës, Rachel i kërkoi ChatGPT-së ndihmë se si të përballonte bisedën pa u mbrojtur. Përgjigjja, sipas saj, ishte inkurajuese dhe e ngjante me gjuhën e terapisë, duke përdorur terma si “kufij” dhe duke e siguruar që ishte në rregull ta përballonte situatën sipas kushteve të saj.

Rachel nuk është e vetme. Një studim i platformës së takimeve online Match tregon se gati gjysma e amerikanëve të brezit Z (të lindur mes 1997-2012) kanë përdorur inteligjencën artificiale, si ChatGPT, për këshilla në lidhje më shumë se çdo brez tjetër. Njerëzit i drejtohen IA-së për të hartuar mesazhe ndarjeje, për të analizuar biseda me partnerët apo për të zgjidhur probleme në marrëdhënie.

Psikologia dhe ekspertja e marrëdhënieve Dr. Lalitaa Suglani thotë se inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet i dobishëm për ata që ndihen të mbingarkuar ose të pasigurt në komunikim. IA mund të ndihmojë në hartimin e një mesazhi, përpunimin e një situate të paqartë ose marrjen e një opinioni të dytë, gjë që mund t’i ndihmojë njerëzit të mos reagojnë me nxitim.

Megjithatë, Suglani ngre shqetësime. Sipas saj, inteligjenca artificiale, duke qenë e programuar të jetë ndihmuese dhe pajtuese, mund të forcojë narrativa të shtrembëruara ose sjellje shmangëse. Për shembull, përdorimi i IA-së për të shkruar një mesazh ndarjeje mund të shmangë përballjen me emocionet reale dhe të pengojë zhvillimin personal.

Ajo paralajmëron gjithashtu se mesazhet e krijuara nga IA mund të jenë emocionalisht të ftohta dhe të duken të stërvituara, gjë që mund të krijojë pasiguri tek marrësi.

Megjithatë, shërbime të reja po dalin në treg për të plotësuar këtë kërkesë. Një prej tyre është Mei, një platformë falas e bazuar në inteligjencë artificiale e trajnuar nga OpenAI, e cila ofron këshilla mbi dilema në marrëdhënie. “Ideja është që t’u japim njerëzve mundësinë të kërkojnë ndihmë menjëherë, pasi jo të gjithë mund të flasin me miq ose familjarë nga frika e gjykimit,” thotë themeluesi Es Lee nga Nju Jorku.

Sipas tij, më shumë se gjysma e çështjeve që paraqiten në platformë lidhen me seksin, një temë që shumë njerëz mund të mos preferojnë ta diskutojnë me miq ose terapistë. “Njerëzit po përdorin AI-në sepse shërbimet ekzistuese nuk po e ofrojnë këtë hapësirë,” shton ai.

Por përdorimi i AI-së ngre edhe çështje sigurie dhe privatësie. Një aplikacion i tillë mund të mbledhë të dhëna shumë të ndjeshme, të cilat do të ishin shkatërruese në rast se dilnin “në shesh”. Lee thotë se Mei mbledh vetëm të dhënat minimale të nevojshme për funksionimin e shërbimit dhe fshin bisedat pas 30 ditësh.

Disa përdorues kombinojnë IA-në me terapinë tradicionale. Corinne (emër i ndryshuar), nga Londra, tregon se përdori ChatGPT-në për këshilla kur po mendonte t’i jepte fund një lidhjeje dhe më pas kur rifilloi të takohej me dikë të ri. Ajo i kërkonte platformës të përgjigjej në stilin e ekspertëve të saj të preferuar të marrëdhënieve nga rrjetet sociale.

Corinne, e cila ka edhe terapist, thotë se e trajton këshillën e IA-së “me njëfarë distance”. “Mund ta imagjinoj dikë që i jep fund një lidhjeje ose nis biseda që nuk duhet ende t’i ketë me partnerin, pasi ChatGPT thjesht përsërit atë që mendon se ti do të dëgjosh“, shprehet ajo. Megjithatë, ajo e konsideron ndihmën e AI-së të dobishme në momentet stresuese dhe kur nuk ka miq pranë.

OpenAI, krijuesi i ChatGPT-së, thotë se modelet e fundit kanë bërë përmirësime për të shmangur varësinë emocionale të tepruar dhe për t’i drejtuar përdoruesit drejt ndihmës profesionale kur është e nevojshme.