Ballina Sport Beteja për kreun, Juventusi dhe Milani “ndezin” Serinë A

Beteja për kreun, Juventusi dhe Milani “ndezin” Serinë A

35
0

Torino po përgatitet për një mbrëmje të zjarrtë. Në “Allianz Stadium” rikthehet Masimiliano Alegri, këtë herë jo në pankinën bardhezi, por në atë të Milanit.

Një rikthim që nuk mund të kalojë pa emocione dhe pa pyetje të vështira: a është penduar Juventusi që u nda me trajnerin nga Livorno? Në kampin kuqezi, Alegri ka sjellë menjëherë qetësi dhe rezultate. Milanit i është rikthyer identiteti, skuadra është ngjitur në klasifikim dhe sot qëndron para Juventusit, pikërisht në prag të sfidës direkte.

Një situatë që e bën edhe më të dhimbshme kujtesën për tifozët bardhezi, të cilët e shohin ish-trajnerin e tyre të udhëheqë me vendosmëri një rival historik. Në anën tjetër, Juventusi i Tudor-it duket ende në kërkim të rrugës së vet. Tre barazimet radhazi kanë ndezur alarmin dhe kanë nxitur diskutime të brendshme për drejtimin që po merr skuadra. Igor Tudor nuk ka sjellë ende atë stabilitet dhe qartësi që klubi kishte shpresuar kur vendosi të ndryshojë kurs.

Pyetja është e thjeshtë: a ka bërë gabim Juventus duke e lënë të lirë Alegrin? Rezultatet e fundit të Milanit flasin vetë. “Rossonerët” kanë gjetur ritmin, kanë forcë në sulm dhe ekuilibër në mbrojtje, elementë që po mungojnë në Torino. Për më tepër, Alegri di të menaxhojë presionin e ndeshjeve të mëdha, dhe këtë e ka treguar gjatë viteve të tij te Juventusi me tituj dhe finale të arritura. Në prag të ndeshjes, atmosfera është e mbushur me ndjenja të përziera.

Tifozët bardhezi e shohin me respekt, por edhe me trishtim ish-teknikun e tyre, ndërsa milanistët i besojnë se mund t’i çojë drejt një sezoni të lavdishëm. Për Alegri-n, ky është një rikthim i veçantë: Stadium-i ku ai ka festuar më shumë suksese do ta presë tashmë si kundërshtar. Dueli Juventus–Milan nuk është kurrë një ndeshje si të tjerat, por këtë herë ngarkesa emocionale është edhe më e madhe. Nëse kuqezinjtë arrijnë të marrin pikë, do të konfirmojnë se kthimi i Alegrit ka qenë një lëvizje e mençur. Nëse Juventus fiton, atëherë Tudor do të marrë frymëmarrje dhe do të tregojë se projekti i tij ka ende shanse për t’u ndërtuar. Një gjë është e sigurt: kjo përballje nuk është thjesht për tre pikë. Është një test i madh për Juventusin, një pasqyrë për Milanin dhe një rikthim emocional për një trajner që, pavarësisht polemikave, mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë moderne të bardhezinjve.