Ballina Politika Rama mburret me konviktet për studentët/ Auditorët boshatisen, këtë vit 15% më...

Rama mburret me konviktet për studentët/ Auditorët boshatisen, këtë vit 15% më pak regjistrime në arsimin e lartë

35
0

Nis sot në të gjithë universitetet e vendit viti i ri akademik 2025-2026. Në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama duke ndarë pamjr nga Qytetit studenti, njoftoi se këto godina do të akomodohen afro 5 mijë studentë të Universitetit të Tiranës, rreth 700 më shumë se vitin e kaluar.

Por teksa Rama mburret me godinat sipas të dhënave, rezulton se studentët që ulen në auditorë po reduktohen me shpejtësi nga viti në vit, duke bërë që numri i tyre në pjesën dërrmuese të fakulteteve të jetë shumë më i ulët se kapacitetet universitare. Degët që më parë ofronin dhjetëra dhe qindra kuota studimi, në disa raste tashmë po i numërojnë studentë me gishtat e njërës dorë. Këtë vit 16 mijë studentë ishin regjistruar në raundin e parë të studimeve në ciklin bachelor, nga rreth 19 mijë një vit më parë, ose 20 për qind më pak, sipas burimeve zyrtare nga Rektorati.

Numri i studentëve në arsimin e lartë në Shqipëri ka pësuar rënie të dukshme gjatë dekadës së fundit, veçanërisht në universitetet publike. Nga rreth 117 mijë studentë në vitin 2016, në vitin 2024 numri ka rënë në rreth 86.900, duke reflektuar tranzicionin demografik të vendit me rënien e lindjeve dhe emigracionin e lartë të të rinjve. Universiteti i Tiranës, që mbetet institucioni më i madh në vend, ka humbur pothuajse 6 mijë studentë ndërmjet 2016 dhe 2024, ndërkohë që rënia ka qenë edhe më e fortë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin e Vlorës.

Rënia e numrit të studentëve në arsimin publik është në kontrast me tendencën e sektorit privat. Në vitin 2016 në institucionet jopublike të arsimit të lartë ishin vetëm 24 mijë studentë, ndërsa në vitin 2024 shifra ka arritur mbi 37 mijë. Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti Epoka dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë kanë pësuar rritje të vazhdueshme, duke tërhequr gjithnjë e më shumë të rinj. Po kështu, universitetet e profilizuara si “Marin Barleti”, “Aldent” apo kolegjet e biznesit kanë fituar terren, falë ofertave më të përshtatura për tregun e punës dhe programeve fleksibël.

Një tjetër prirje është zgjerimi i interesit për degët e lidhura me shëndetësinë dhe stomatologjinë, ku universitetet private si Aldent dhe kolegjet e ngjashme kanë pasur rritje të shpejtë të regjistrimeve. Po kështu, rritje kanë shënuar edhe universitetet që ofrojnë programe në teknologji dhe menaxhim, duke reflektuar ndryshimin e kërkesës së tregut shqiptar dhe atij rajonal. Ndërkohë, degët tradicionale të bujqësisë dhe shkencave natyrore vazhdojnë të humbin studentë, duke vënë në rrezik zhvillimin e këtyre fushave.

Të dhënat tregojnë për një zhvendosje të preferencave të të rinjve nga universitetet publike drejt atyre private, të cilat ofrojnë programe më praktike dhe më të lidhura me punësimin. Ndërkohë, ka zhvendosje të preferencave nga degët teknike dhe bujqësore drejt mjekësisë dhe profesioneve që lidhen me tregun e punës. Shumë universitete në qarqet e vendit kanë pësuar rënie më të fortë, pasi të rinjtë preferojnë kryeqytetin ose po largohen jashtë vendit. Preferencat në arsimin e lartë janë zhvendosur drejt degëve që ofrojnë aftësi praktike dhe garanci më të madhe për punësim, si biznesi, ekonomia, teknologjia dhe sidomos mjekësia e stomatologjia./Monitor.al