Nga Denis Dyrnjaja
Kur arroganca politike kapërcen çdo kufi institucional, përçmimi ndaj dijes dhe ligjit bëhet normë. Kryeministri Rama ironizoi publikisht çdo mendim që sfidon vijën e pushtetit ne rastin e dekretit të shpalljes se zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Në një akt tjetër të pamatur Kryeministri merr në mbrojtje vendimmarrjen e një institucioni tjetër sikurse është Presidenca dhe për keq akoma i bën avokaturën publike këshilltarit ligjor të Presidentit, që arsyetoi trashësisht gabueshëm bazën ligjore për të dekretuar zgjedhjet në Tiranë sipas kërkesës së Këshillit të Ministrave (Qeverisë).
Por e vërteta është kokëfortë. Dhe nuk duhet të kesh mbiemrin Rusmali për të kuptuar se Kushtetuta prevalon mbi çdo ligj organik të Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Ky është një rregull elementar i hierarkisë juridike, i njohur nga të gjitha gjykatat dhe çdo student që kalon pragun e Fakulteti te Drejtësisë.
Në rastin konkret të shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Këshilli i Ministrave është mbështetur mbi nenin 62 të ligjit 139/2015, i cili parashikon mundësinë që kryetari i bashkisë të shkarkohet nëse mungon për tre muaj dhe kjo propozohet nga këshilli bashkiak. Por kjo dispozitë nuk mund të aplikohet në kundërshtim me nenin 115 të Kushtetutës, i cili është më i lartë në hierarkinë juridike dhe gjithashtu më gjithëpërfshirës.
Neni 115 i Kushtetutës thotë qartë se: “Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.” Pra, jo për mungesë, jo për vakanca të shpallura, por vetëm nëse provohet shkelje e rëndë kushtetuese ose ligjore.
Kjo është arsyeja pse hierarkia ligjore është themel i shtetit të së drejtës:
1. Kushtetuta është norma më e lartë ligjore
2. Ligjet organike (si ligji 139/2015) vlejnë vetëm nëse nuk bien ndesh me Kushtetutën.
3. Aktet nënligjore (si vendimet e Këshillit të Ministrave) janë më poshtë se kushtetuta dhe ligjet.
Nëse Gjykata Kushtetuese legalizon një shkarkim që nuk bazohet në nenin 115 të Kushtetutës, por në një interpretim të lirë të një ligji organik, atëherë vetë Gjykata shkel Kushtetutën që duhet ta mbrojë nga institucioni/et që e shkelin atë në këtë rast Presidenti i Republikës me shtysën e Këshillit të Ministrave. Kjo nuk do të ishte thjesht një precedent, por një rrëzim i sistemit të balancave institucionale në Shqipëri.
Kurse Presidenti, i cili ka dekretuar zgjedhjet pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe me nenin 115 pika 3, ku thuhet se:
“Organi i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese… dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet.” Pra gjithçka është e qartë e kthjellët dhe pa asnjë dilemë.
Kjo do të thotë se në kushtet e rastit të Bashkisë së Tiranës, vakanca nuk ekziston në mënyrë përfundimtare derisa Gjykata të shprehet. Shpallja e zgjedhjeve është akt i rëndësishëm kushtetues dhe nuk mund të bazohet mbi një vendim ende të pezulluar. Me këtë akt, edhe Presidenti ka shkelur Kushtetutën.
Ky është një rast klasik rendi juridik shpërfytyrohet në emër të një interesi politik momental. Këshilli i Ministrave, Presidenti, madje dhe ndonjëherë vetë Gjykata Kushtetuese, mund të harrojnë një gjë thelbësore se Kushtetuta nuk është manual teknik për interpretim oportunist, por themeli mbi të cilin ngrihet shteti.
Këtë e di mirë dhe zoti Rusmali madje dhe shumë juristë të shndërruar në politikanë në PS. Por atyre ua shuar kurajën interesi dhe ua shtypur moralin frika e udhëheqësit. Sot merr merita nëse shkel ligjin dhe kryen marifete për të mbrojtur shkeljen e ligjit. Nëse lexon dhe mbron ligjin je budalla dhe i paditur.
Kjo nuk është mbrojtje për Erion Veliajn si individ, por për kushtetutën që duhet të garantojë themelet e shtetit dhe të së drejtës në një sistem demokratik ku pretendohet se duhet të dominojë pavarësia e institucioneve, kontrolli dhe balanca mes tyre dhe në thelb të drejtat e garantuara të çdo shtetasi të republikës. Këto norma nuk mund të jenë as të ndryshueshme, as të interpretueshme sipas humorit të një politikani apo udhëheqësi. Kushdo qoftë ai, i përkohshëm do jetë edhe në përfytyrimin e përjetësisë se tij.