Ballina Opinion “Humori” i Edi Ramës

“Humori” i Edi Ramës

0
31

Nga Lis Bukuroca 

1.
Shumë veta e shpjeguan “batutën” e Ramës ndaj Trumpit si diçka të padëmshme: si një shaka spontane, normale, madje “sharmante”, që Trumpi do ta merrte thjesht si shaka.

Ndoshta tek ne, ose më gjerë në Ballkan, është normale të theksohet padituria apo gabimi i një lideri, për t’u dukur një tjetër më i dijshëm. Një lider ndaj të cilit vetë udhëheqësit perëndimorë qëndrojnë si nxënës të kujdesshëm, nga pamundësia për të parashikuar reagimet e tij. Nga frika për pasojat ndaj vendeve të veta.

Pse ishte ofendim brutal?
1. Në samite diplomatike nuk është normale as tallja, as përqeshja, as veshja jashtë rregullave të bontonit diplomatik.
2. Në Perëndim nuk është e zakonshme të bëhet humor në kurriz të dikujt që nuk është i pranishëm.
3. Nuk është e hijshme të sulmohet dikush për të fituar simpatinë e tjetrit.
4. Nuk është normale përqeshja e një të moshuari.

Rama i bëri të gjitha. Me reagimin e tij pas asaj “batute”, në fakt, zbatuteje, ai e pretendoi lirinë për ta përbuzur Trumpin, duke e justifikuar më pas me “dashurinë e madhe” ndaj tij.

Ashtu si e kuptoj unë botën morale,

sjellja e Edi Ramës flet për mungesë takti dhe për një dëshirë të pakontrolluar për t’u shquar, për të tërhequr vëmendje, pa aftësinë për të kontrolluar vetveten.

Është një shtysë e ankthshme, një zell për t’u parë dhe dëgjuar, qoftë edhe përmes provokimit, dhe për ta zhvendosur gjithnjë fokusin tek “Edi Rama”, të cilin ai duket se e mbivlerëson.

Sjellja ishte e pahijshme, vulgare dhe poshtëruese, sepse theksonte paaftësinë e Trumpit për të shqiptuar drejt një emër vendi, dhe njëkohësisht injorancën e tij gjeografike. Thua se Rama di vendndodhjen e të gjitha shteteve dhe fqinjët e tyre..

Në thelb, ishte një tallje që synonte qeshje dhe kryesisht simpati për vete, por përfundoi si provokim i panevojshëm ndaj një lideri të paparashikueshëm. Ndaj një aleati.

Donald Trump nuk harron. Ai është hakmarrës, egoman deri në obsesion, dhe jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj çdo forme ironie.

Papërmbajtja e egos dhe paparashikueshmëria e karakterit e bëjnë atë një figurë me të cilën liderët nuk guxojnë të bëjë shaka. Pos Ramës, Putinit e Kim Jong-un-it. Trumpi nuk duron goditje mbi integritetin e vet: aq më pak nga një vend i vogël që ka nevojë për mbështetjen e tij.

Megjithatë, shumë veta e quajtën “humor”. Ata besojnë se dinë edhe si do të reagojë Trumpi.

Ai nuk fal. Egoja e tij është një sistem pushteti, dhe çdo përçmim i nxit dëshirën për t’u hakmarrë; si te Rama dëshira për t’u dukur, qoftë edhe kur del jashtë me pizhamë apo cullak.

Rama beson se përfaqëson Ramën, jo vendin.

Në fund, ajo që për ne ishte “batutë”, për Ramën mund të bëhet “dosje”. Një vend i vogël si Shqipëria, që është sa një qytet amerikan, nuk duhet të pretendojë luksin për t’u tallur me të. Se mesazhi ka arritur, e tregoi këshilltari i Trumpit, që publikoi foton e Ramës me „armikun“ e Trumpit McGonigal.

“Batutën’” e parë e pagoi Rama me Sazanin. Si me pronën private. Të dytit nuk ia dimë ende çmimin, por do ta marrim vesh një ditë.

Dhe, në fund, të mos harrojmë: Fajin nuk e ka ai që tallet me dikë, por ata që nuk kuptojnë se kjo qenka humor. Pra, jo ai që tallet, por ai që talljen e konsideron tallje. Bota ose duhet të gjykojë si autokrati, ose gabon!  Shkurt, gazo, arsyetoje dhe shpall „kazanë“ ata që mendojnë ndryshe.

2.
Në vend që të merrej me batuta, Edi Rama mund të thoshte në samit këtë:

“Kolegë të dashur, ju kërkoni me këmbëngulje ndërtimin e shteteve ligjore në Ballkan. Albin Kurti po përpiqet ta bëjë atë, por në vend që të mbështetet, atë e kemi izoluar. Madje ka edhe sanksione.

Ndërkohë, Aleksandar Vuçiq nuk respekton ligjin, nuk arreston terroristët që ju vetë i keni cilësuar si të tillë, dhe prapë nuk përballet me asnjë kritikë. As me sanksione.

Shërbimi sekret serb përpiqet të ndezë kryengritje në Moldavi. Në Paris agjentët serbë vendosin koka të derrave para xhamive dhe njollosin sinagogat me bojë të gjelbër, për të nxitur urrejtje fetare të ndërsjellë. Nuk kritikohet dhe nuk ka sanksione.

Dhe merreni me mend këtë ju lutem: Keni një shtëpi të dytë në Spanjë apo Itali. Shkoni atje për pushime, ose qëndroni disa vite. Ndërkohë, administrata e Vuçiqit ju heq nga regjistri civil, ju fshin adresën dhe ju zhduk si qytetarë. Kjo është ajo që po ndodh sot me shqiptarët e Luginës së Preshevës. A quhet kjo drejtësi, ju lutem? Ne duhet ta ndihmojmë Serbinë për t’u integruar, por jo t’i lejohet asaj mundësia për t’i shndërruar shtetet e  Balkanit në vasalë të Putinit.

Më ndihmoni të kuptoj kolegë të dashur çfarë pret BE nga Ballkani, shtete ligjore, apo tarrace të Putiniti? Cilët janë standardet europiane që duhet të respektohen në Ballkani? Duhet të zbatojmë ligjin, apo të mos e bëjmë?
Kujt t’i bashkëngjitemi ne kombet e vogla të Ballkanit? Europës, apo  Rusisë? Janë dy sisteme që po konkurrojnë në mes vete Europë! Na ndihmoni ju lutem të kuptojmë drejtimin tonë!“

Kaq do të kishte mjaftuar për të treguar se qëndron vertikalisht përballë BE-së, jo vetëm përballë Trumpit! Mirëpo, meqë ai është i bindur se integrimin e fiton duke u bërë kundër shqiptarëve jashtë Shqipërisë, apo duke i shpërfillur ata, atëherë do të gjejë arsye të tjera për të përligjur mosguximin e tij për të kundërshtuar politikën klerofashiste të Vuçiqit…

Rama nuk guxon të kritikojë Vuçiqin!