Eshtë fakt tashmë që Kombëtarja e Anglisë po kryeson renditjen në grupin K eliminator të Botërorit, aq sa gjendet vetëm një fitore larg kualifikimit direkt për në fazën finale të kampionatit që luhet vitin e ardhshëm në SHBA, Kanada e Meksikë.Por ja që kjo duket se nuk mjafton për të shuar kritikat, që janë shtuar papritmas në drejtim të trajnerit gjerman, Tomas Tuhel.
Shkak është bërë pikërisht lista e futbollistëve që ka shpallur tekniku i Anglisë, për dy ndeshjet e tetorit.
Vetë ai i ka cilësuar vendimet e marra thjesht si “zgjedhje teknike”, ndërsa pavarësisht zhurmës mediatike, deri tani rezultet e marra i kanë dhënë të drejtë ish-trajnerit të PSG, Çelsit dhe Bajernit.
Konkretisht, sfidat e tetorit, trajneri Tuhel ka ftuar 24 lojtarë, duke lënë jashtë deri edhe Xhud Bellingam. Mesfushori i Real Madrid nuk u thirr, njësoj si Grilish, protagonist i një starti të mirë sezoni me Evertonin. Por nëse për Bellingam, mediat e tifozët anglezë kanë dhënë një farë aprovimi, duke parë gjendjen jo të mirë të shfaqur prej tij, nga ana tjetër ka ngritur një tymnajë lënia jashtë e Grilish. Ndërsa dihet që Kol Palmer i Çelsit është i dëmtuar.
Ndër të tjera, Tuhel ka kthyer në skuadrën e “Tre Luanëve” Rashfordin e Barcelonës, i cili duket i rilindur pas transferimit te skuadra katalanase. Por natyrisht që bën disi “contrast” me mosthirrjen e një të rilinduri tjetër, si futbollisti që la Sitin për të kaluar te Evertoni gjatë verës së fundit. Kujtojmë që “Tre Luanët” do të luajnë në datën 10 miqësoren kundër Uellsit dhe katër ditë më pas sfidën kualifikuese për Kupën e Botës në transfertën kundër Letonisë.
Teksa janë zhvilluar pesë ndeshje në Grupin K eliminator të “Botërorit 2026”, Anglia kryeson me pikë të plota. E madje tani ka në dorë mundësinë për të siguruar matematikisht kualifikimin drejt Kupës së Botës, pikërisht që në sfidën e radhës.