Ballina Opinion Askush nuk po e përfill Gjykatën Kushtetuese

Askush nuk po e përfill Gjykatën Kushtetuese

32
0

Nga Denis Dyrnjaja

Në një moment kritik për rendin kushtetues dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, Shqipëria po përballet me një paradoks të rrezikshëm. Injorimin e Gjykatës Kushtetuese. Të gjithë po sillen sikur ajo nuk ekziston. Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve për vakancat në 6 bashki përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje të mëdha ligjore e kushtetuese, por përgjigjja që po jepet nga politika dhe media është edhe më paradoksale, jo etike dhe thuajse e papërgjegjshme. Po konsiderohet anormaliteti si normalitet ligjor e kushtetues.

Partitë politike tashmë kanë shpallur kandidatët e tyre sikur nuk e dinë se ka një padi që kundërshton shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë nga Presidenti i Republikës në kundërshtim me nenin 115 të Kushtetutës, sikur Gjykatës Kushtetuese nuk i është kërkuar për të shqyrtuar përplasjen e kompetencave, dhe sikur neni 115 i Kushtetutës, që rregullon aktet normative dhe përjashton dekretet presidenciale në këtë rast, nuk ekziston fare. Media, në vend që të ushtrojë presionin legjitim publik për sqarim dhe transparencë për këtë precedent të rëndë antikushtetues, ka hyrë në hullinë që i imponon politika pa gajle për kushtetutën. Pra ka rënë edhe instrumenti që duhet të gjenerojë presionin publik si garanci që kemi shtet jo han pa porta dhe me përde të bukura.

Më dramatike është heshtja e disa institucioneve me profil ligjor duke filluar që nga Parlamenti dhe duke mbaruar tek vetë Gjykata Kushtetuese, e cila ndodhet përballë një sfide jetike për dinjitetin dhe autoritetin e saj. Kjo nuk është thjesht një çështje juridike, por një përballje ekzistenciale për të treguar nëse Gjykata është institucioni më i lartë i interpretimit kushtetues, apo thjesht një sallon ceremonial që përmendet në raste krize sa për të thënë se eksiton dhe anashkalohet në momente kaq domethënës për pavarësinë e institucioneve dhe moscënimin e kushtetutës.

Askush nuk mund dhe nuk duhet të jetë mbi autoritetin dhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht tani është rasti për të treguar në mënyrë të qartë e të prerë se në këtë vend nuk ka pushtete absolute. Është momenti që Gjykata të tregojë se kush e përcakton rregullin kushtetues dhe kush e mbron rendin demokratik, jo për të shpëtuar Erion Veliajn apo cilindo individ të radhës, por për të shpëtuar funksionimin e shtetit si një bashkësi rregullash dhe jo si teatër arbitraritetesh përmes “pelivanësh shëtitës” në zyrat ligjore të shtetit.

Nëse ky moment kalon pa një qëndrim të prerë, precedenti që vendoset do të jetë shkatërrimtar për çdo krizë të ardhshme. Sepse nëse Gjykata Kushtetuese nuk flet tani, atëherë kur? Dhe nëse nuk ka forcë të vendosë kufijtë ligjorë dhe etikë të pushteteve, atëherë për çfarë ekziston?

Sot nuk është në pikëpyetje vetëm një dekret i paprecedentë kushtetues. Sot në pikëpyetje është vetë rendi kushtetues i Republikës. Dhe koha për të vepruar është tani për t’iu thënë të gjithë aktorëve në këtë lojë antikushtetuese, stop. Në të kundërt heshtja nuk është neutrale, por bashkëfajësi.

Ndërkohë e gjithë politika dhe veçanërisht opozita që duhej të ishte së pari në mbrojtje të parimeve kushtetuese po vijon të marrë të mirëqenë shkeljen e kushtetutës që flet qartë dhe pa dyshime për rastin në fjalë dhe po paragjykon vendimin e Gjykatës Kushtetuese sikur do legjitimojë dekretin e Presidentit të Republikës për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.