Ballina Kulturë Ta mbrojmë Bektashizmin Shqiptar si një Urtësi Autoktone

Ta mbrojmë Bektashizmin Shqiptar si një Urtësi Autoktone

29
0

Nga Klevis Bakillari

Kohët e fundit, në disa rrjete sociale, është shfaqur një video e një manifesti të quajtur “Pursa-dar” në majën e Tomorrit – një nocion pers që do të thotë “ai që mban pyetjen”, “kërkuesi i së vërtetës”, i lidhur me mistikën shiite e sufi të Lindjes së Mesme.Nuk dihet nëse ai grup persian besimtarësh, kishin marrë apo jo autorizim nga KryeGjyshata në Tiranë!
Gjithësesi, në dukje, është një ide e bukur, filozofike, e afërt me shpirtin e kërkimit hyjnor. Por nëse e shohim më thellë, ajo nuk i përket natyrës së bektashizmit shqiptar – dhe sidomos, nuk është në gjakun e tij shpirtëror, të derdhur në këtë truall midis maleve, luleve dhe varreve të shenjta të Shqipërisë.

“Pursa-dari” është pjellë e një bote tjetër, e gjuhës, e mistikës dhe hierarkisë teologjike të Iranit e Azisë Qendrore.
Në atë traditë, kërkimi për Zotin është një udhëtim drejt mësuesit (murshidit), një rend i mbyllur ku nxënësi pyet e përgjigjet sipas shkallëve të diturisë së fshehtë.
Bektashizmi shqiptar, përkundrazi, u lind në dritë. Ai nuk u ngjiz në manastire shkretëtire, por në shpella, male dhe fshatra, në shtëpitë e njerëzve që këndonin dhe punonin, që besonin se Zoti nuk është fshehur, por jeton në dashuri, në punë dhe në atdhe.

Nëse bektashizmi shqiptar ka një libër themelor, ai është “Fletore e bektashinjet” e Naim Frashërit.
Fryma e Naimit na thotë: Zoti në Njeriun, jo në dogmën.
Në atë libër nuk gjen “pursa-darë” që kërkojnë të kuptojnë të fshehtën përmes fjalëve të huaja.
Gjen njeriun e lirë, atdhetarin që fal, poetin që shikon Zotin në njeriun e thjeshtë, dhe shpirtin që dashuron pa frikë.
Naimi nuk flet për pyetje mistike që mbeten pezull -ai flet për përgjigje që ndriçojnë jetën:
“Zoti është dashuri, dhe dashuria është dritë.”
Po ashtu, në Bibliotekën e Kryegjyshatës, ndodhet një libër me titull “Zotin e kërko” i autorit Petrit Gjoni, ndjesë pastë. Aty shpaloset qartë nocioni i ‘Zotit brenda Njeriut’ dhe ‘Zoti tek Njeriu’.

Ky është aksi themelor i bektashizmit shqiptar: Zoti si dashuri e lirë, atdheu si vend i shenjtë, njeriu si tempull.
Në këtë frymë, çdo përpjekje për t’i importuar nocione të huaja- qofshin persiane, arabe apo osmane – është një zbehje e dritës së Naimit, një mjegull mbi pastërtinë e mendimit të tij.

Tradita jonë bektashiane nuk është as kopje e Iranit, as degë e ndonjë mistike aziatike.
Ajo është një urtësi autoktone shqiptare, që përmes shekujve ka marrë frymë nga gjuha, historia dhe natyra e këtij vendi.
Nga Baba Aliu i Frashërit, nga Sali Njazi Dede,nga Dede Ahmeti e deri tek Baba Aliu i Tomorrit,ajo ka ruajtur shpirtin e pyetjes shqiptare -që nuk kërkon nëpër libra të huaj, por në vetvete, në tokën ku ka lindur.
Pelegrini që ngjitet në Tomorr nuk është “pursa-dar”; ai është bektashi shqiptar, njeriu i gurit dhe i dritës, që kërkon përshpirtjen e vet jo në simbole të huaja, por në fjalën e Baba Tomorrit dhe në frymën e Naimit.

Sot, më shumë se kurrë, bektashizmi shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë dallim.Ne duhet ta ruajmë këtë trashëgimi të madhe shpirtërore.
Në një kohë kur globalizimi fetar e përzien gjuhën e shenjtë me terminologji të huaja, duhet të kujtojmë se rrënjët e shpirtit tonë nuk janë në lindje, por në dritën e maleve shqiptare.
Ne nuk kemi nevojë as të bëhemi kurrësesi por as të lejojmë “pursa-darë” të huaj për të pyetur Zotin; ne jemi bij të Naimit, që e kemi Zotin në çdo varg të dashurisë, në çdo çezmë, në çdo këngë që ngjitet drejt qiellit.

Në këtë kuptim, fletorja e bektashinjvet nuk është thjesht një libër, por testamenti shpirtëror i një kombi, që beson në dritë, dashuri dhe liri.
Ta ruash atë me fanatizëm nuk është konservatorizëm, por mbrojtje e identitetit shpirtëror kombëtar.