Ballina Politika PD nismë në Kuvend për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj. Kërkon edhe...

PD nismë në Kuvend për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj. Kërkon edhe 2 komisione hetimore, për “11 Majin” dhe “McGonigal”

35
0

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në një njoftim për shtyp pas mbledhjes së zhvilluar sot, ka denoncuar ashpër qasjen e mazhorancës socialiste ndaj mekanizmave parlamentarë të kontrollit, duke e konsideruar të papranueshme mënyrën se si, sipas tyre, po mbyllet çdo hapësirë debati në Kuvend.

Sipas PD-së, vetëm gjatë kësaj jave janë refuzuar tre mocione me debat, një kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin dhe një tjetër për seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Mocionet e refuzuara lidhen me:

-Prioritetet e qeverisë në programin që përparon agjendën europiane të Shqipërisë;

-Dënimin e genocidit serb në Kosovë, në vijim të kërkesës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani;

-Gjetjen e mekanizmave ligjorë që ofrojnë siguri për Bashkimin Europian që të zhbllokojë 112 milion euro nga programi IPARD 3, përmes ngritjes së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar.

Interpelanca urgjente me Kryeministrin, sipas PD-së, ishte kërkuar pas investigimeve të medias italiane dhe përgjimeve të Antimafias Italiane, që flisnin për kontakte mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe karteleve të drogës në Aruba, me qëllim pastrimin e parave në Shqipëri.

Në vijim, Grupi Parlamentar i PD vendosi të nisë procedurën parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke u mbështetur në pikën 2 të nenit 90 të Kushtetutës, me argumentin e “shkeljes së rëndë të Kushtetutës”.

Gjithashtu, PD ka miratuar dorëzimin e dy kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore; për parregullsitë në zgjedhjet e 11 Majit 2025 dhe për bashkëpunimin e pretenduar midis Kryeministrit Edi Rama dhe ish-agjentit të dënuar në SHBA, Charles McGonigal.