Ballina Bota Shpërthim tragjik në fabrikën e eksplozivëve në Tennessee, disa të vdekur dhe...

Shpërthim tragjik në fabrikën e eksplozivëve në Tennessee, disa të vdekur dhe të zhdukur

192
0

Një shpërthim masiv ka goditur mëngjesin e së premtes fabrikën e eksplozivëve Accurate Energetic Systems në qytetin McEwen të shtetit Tennessee, duke shkaktuar disa viktima dhe persona të tjerë të zhdukur.

Autoritetet konfirmojnë se pas shpërthimit të parë ndodhën edhe disa shpërthime të tjera më të vogla, që e kanë bërë situatën edhe më të rrezikshme për ekipet e emergjencës.

‘Kemi përpara një hetim shumë të madh. Do të qëndrojmë këtu për disa ditë,’ deklaroi Sherifi i Qarkut Humphrey, Chris Davis, për CBS News.

Një zyrtar nga qarku fqinj Hickman i tha Associated Press se shpërthimet pasuese penguan ndërhyrjen fillestare të ekipeve të kërkim-shpëtimit, duke e bërë të vështirë nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat.

Pamje të publikuara nga NewsChannel 5 tregojnë skena të rënda nga vendngjarja: makina të djegura plotësisht, copa të karbonizuara metali të shpërndara në tokë dhe re të dendura tymi që mbulonin gjithë zonën industriale.

Një banor i afërt, Gentry Stover, përshkroi momentin e shpërthimit për CBS News:

‘U zgjova nga një zhurmë e tmerrshme. Mendova se shtëpia ishte shembur mbi mua.’

Sipas faqes zyrtare të kompanisë Accurate Energetic Systems, fabrika prodhon materiale energjike për sektorin e mbrojtjes, hapësirës ajrore dhe demolimeve të kontrolluara. Uzinë ndodhet rreth 90 kilometra në jugperëndim të Nashville.

Shërbimet emergjente dhe ekipet hetimore janë ende në terren, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc zyrtar të viktimave apo shkakun e shpërthimit. Hetimet pritet të zgjasin disa ditë.