Pas një jave të ngarkuar duke promovuar filmin Kiss Of The Spider Woman në Manhattan bashkë me ish-bashkëshortin Ben Affleck, Jennifer Lopez tashmë ka kaluar te projekti i radhës.
Ylli 56-vjeçar u pa të premten duke xhiruar në New York për filmin e saj më të ri The Last Mrs. Parrish. E veshur me një kostum elegant ngjyrë të kuqe të errët dhe një fund të kombinuar me një rrip të zi në bel, Lopez u duk tejet elegante në setin e xhirimeve. Ajo kompletoi pamjen me këpucë me motive katrore, kapelë me strehë të gjerë, syze të stilit “cat-eye”, doreza të zeza dhe një çantë të gjatë në dorë.
Për këtë skenë, këngëtarja dhe aktorja kishte grim të theksuar me eyeliner të zi dhe buzëkuq në nuanca vjollce, si dhe stoli të sofistikuara: vathë me diamante dhe perla, dhe një brosh të përshtatur, shkruan “Daily Mail”.
The Last Mrs. Parrish është një projekt i rëndësishëm për Lopez, pasi regjinë e mban regjisori i njohur Robert Zemeckis, ndërsa skenari bazohet në romanin bestseller me të njëjtin titull, pjesë e klubit të leximit të Reese Witherspoon.
Ndryshe nga disa projekte të mëparshme, kësaj radhe Lopez nuk po bashkëpunon me Affleck në prodhim, por me aktoren Molly Sims, e njohur nga seriali Las Vegas.