Ballina Kulturë Vallëzim, arte pamore dhe kinema, mbrëmja e 15 tetorit sjell trashëgiminë e...

Vallëzim, arte pamore dhe kinema, mbrëmja e 15 tetorit sjell trashëgiminë e Ennio Morricone-s në Tiranë

33
0

Festivali Ndërkombëtar i Dancit i Tiranës (IDFT) do të sjellë në skenën e Teatrit të Operas e Baletit shfaqjen “Notte Morricone”, një ndërthurje e dancit modern dhe muzikës së pavdekshme të gjeniut Ennio Morricone.

Shfaqja do të jetë mbrëmjen e 15 tetorit, kur Morricone do të vijë i ripunuar dhe riinterpretuar nga një prej koreografëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë, Marcos Morau, në bashkëpunimin e tij të parë me Qendrën Koreografike Kombëtare “Aterballetto”.

Ky krijim angazhon gjashtëmbëdhjetë balerinë dhe ndërthur vallëzimin, artet pamore dhe ndikimet kinematografike.

“Edhe pse është pothuajse e pamundur të ndash muzikën e tij nga imazhet që e shoqërojnë, Morricone tejkalon dhe ndërthuret me vetë jetën, me kujtimet, me bukurinë dhe mizorinë e një bote që vazhdon të përparojë”, pohon koreografi Marcos Morau, i cili do të jetë edhe regjisori i shfaqjes.

Shfaqja, në të gjithë komponentët e saj, është prodhim i Fondazione Nazionale della Danza “Aterballetto”. Ajo frymëzohet nga trashëgimia e kompozitorit Ennio Morricone, fitues i dy çmimeve Oscar, tre çmimeve Grammy, tre Golden Globe, gjashtë BAFTA, dhjetë çmimeve David di Donatello, njëmbëdhjetë çmimeve Nastri d’Argento, dy çmimeve të Filmit Europian dhe një Leone d’oro për karrierën. /atsh/