Në seancën e së hënës të dosjes “Partizani” në Gjykatën e Posaçme, prokurori i SPAK, Arben Kraja, i cilësoi si të pabazuara në ligj e në prova pretendimet e të pandehurit Sali Berisha për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të akteve të dosjes.
Kraja është shprehur se çdo veprim i SPAK ka qenë në zbatim të ligjit dhe kompetencës së SPAK, shkruan A2. “Nuk janë evidentuar elementë të korrupsionit nga zyrtarë të tjerë. Pretendimet për pavlefshmëri të akteve janë të pambështetur në ligj dhe në prova.
Regjistrimi i procedimit penal mund të bëhet në ditën e kallëzimit, ose deri në një afat 15 ditor, por kjo nuk do të thotë se duhet të presësh të mbarojë afati 15 ditor.
Mbi pretendimet për gjendjen e gjyqtares (Irena Gjoka) në kushtet e pazgjedhshmërisë vlerësojmë se janë të pambështetur në ligj dhe prova. Gjyqtarja është e zgjedhur nga organet përkatëse dhe ushtron detyrën në zbatim të ligjit.
Mbi pretendimet për papërdorshmëri të disa akteve të ekspertimit, ekspertet janë punonjës të institucioneve shtetërore dhe nuk ka asnjë ndalesë ligjore, që të pengojë marrjen e tyre, vetëm për shkak se nuk janë në një listë të caktuar.
Ekspertët nuk kanë asnjë interes në këtë procedim. Nuk ka pasur konflikt interesi mes tyre dhe të pandehurve, apo avokatëve të tyre”, u shpreh Kraja.