Nga Lekë Mrijaj
Bazuar në vizitën e pardjeshme bërë Vilës së Mbretit Zog dhe në referenca e deshmi të artikuluara shkencore, ky këndvështrim e trajtim i imi synon të ndriçojë historinë, funksionin dhe simbolikën arkitektonike të Rezidencës Mbretërore të Durrësit, të njohur si Vila e Mbretit Zog, një ndër monumentet më përfaqësuese të periudhës së monarkisë shqiptare (1928–1939). Ky këndvështrim në fjalë, saktësisht përqendrohet në origjinën e ndërtimit, konceptimin arkitektonik të Florestano di Faustos, zhvillimet historike që objekti pësoi gjatë regjimeve të ndryshme politike, si dhe në rolin e tij në kujtesën kombëtare të shqiptarëve. Përmes këtij trajtimi synohet të rikthehet vëmendja ndaj ruajtjes së kësaj trashëgimie të vyer, si pjesë përbërëse e identitetit historik e kulturor të shtetit shqiptar.
Durrësi i ynë, është një qytet i lashtë ilirik dhe porti më i vjetër i Shqipërisë, i cili ka qenë ndër shekuj hapësirë e ndërthurjes së shumë kulturave dhe ndikimeve arkitektonike, që nga brigjet e Mesdheut deri në Ballkanin e brendshëm. Pikërisht në këtë qytet simbolik të historisë sonë kombëtare u ngrit një ndër monumentet më të veçanta të shekullit XX, Rezidenca Mbretërore e Durrësit, një objekt që mishëronte aspiratat e shtetit të ri shqiptar për t’u pozicionuar në mesin e kombeve moderne evropiane.
Kjo vilë mbretërore bazuar në referenca nuk ishte thjesht një rezidencë verore e familjes mbretërore të Zogut, por një Seli shtetërore e politike dhe kulturore mbi sovranitetin, modernitetin dhe identitetin kombëtar. Megjithatë, sot ky simbol shtetëror, dikur krenaria e arkitekturës shqiptare, është lënë në harresë. Sipas burimeve të pohuara, objekti i është shitur një personi privat, fakt që ngre pyetje të thella mbi mënyrën si trajtohet trashëgimia publike e kombit. Në vitin 1925, pas shpalljes së Republikës së Shqipërisë dhe konsolidimit të pushtetit të Ahmet Zogut, lindi nevoja për krijimin e institucioneve që do të pasqyronin një shtet modern e përfaqësues. Me kurorëzimin e Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve më 1 shtator 1928, nisi periudha e Monarkisë Shqiptare, e cila kërkonte të afirmonte identitetin e ri shtetëror përmes gjuhës së arkitekturës dhe simbolikës institucionale. Zgjedhja e kodrës mbi gjirin e Durrësit, në një lartësi më të lartën në Durrës, pra, prej 84 metrash mbi nivelin e detit, për ndërtimin e rezidencës mbretërore, nuk ishte rastësore. Pozicioni strategjik ofronte pamje të gjerë të qytetit, portit dhe detit Adriatik, një përfaqësim i fuqisë, prestigjit dhe sovranitetit kombëtar. Vila u konceptua si hapësirë për pritje diplomatike, ceremoni shtetërore dhe qëndrime verore të familjes mbretërore, duke u bërë kështu një rezidencë përfaqësuese e shtetit modern shqiptar.
Projektuesi i saj, Florestano di Fausto (1890–1965), ishte arkitekt italian me përvojë të gjerë në projektet e administratës koloniale italiane në Rodos, Tripoli dhe Dodekanez. Ai përfaqësonte rrymën e racionalizmit italian, që bashkonte monumentalitetin klasik me funksionalitetin modern. Në rastin e Durrësit, Di Fausto krijoi një ndërtesë me linja të pastra, formë simetrike dhe pamje neoklasik, që reflektonte qartësinë, dritën dhe elegancën institucionale. Muret e bardha, verandat e hapura dhe shkallët që ngjiten drejt horizontit krijojnë ndjesinë e solemnitetit dhe të hapësirës mesdhetare. Përpara miratimit përfundimtar të projektit, u propozuan variante nga Armando Brasini, Hans Köhler dhe Kristo Sotiri, çka tregon rëndësinë diplomatike dhe artistike të objektit në atë kohë.
Siq deshmohet, pra punimet për ndërtimin e vilës nisën në vitin 1926 dhe përfunduan në 1937, pak muaj para martesës së Mbretit Zog me Mbretëreshën Géraldine Apponyi, më 27 prill 1938. Vila u shndërrua në një simbol të hapjes së Shqipërisë drejt Perëndimit dhe kulturës në përpjekjen për ta pozicionuar kombin tonë në hartën tipike të kulturës evropiane moderne. Pas pushtimit italian të Shqipërisë më 7 prill 1939, rezidenca u përdor nga administrata italiane dhe më pas nga autoritetet gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në periudhën e regjimit të egër komunist në Shqipëri (1945–1990), objekti humbi funksionin ceremonial dhe u përdor për qëllime institucionale të ndryshme, duke pësuar ndryshime strukturore e degradim të thellë estetik. Këto ndërhyrje e shkëputën vilën nga karakteri i saj origjinal, duke e kthyer në një ndërtesë të humbur në funksion dhe identitet.
Kur u ngjitëm drejt Vilës së bashku me bashkëshorten time, Vjollcën, pra, nën hijen e pishave dhe ullinjve shumëvjeçarë, përjetuam ndjesinë e dy botëve që takohen: madhështinë e historisë dhe trishtimin e harresës. Nga maja, pamja e detit Adriatik është po aq magjepsëse, horizonti i kaltër që përthith kujtesën e shekujve dhe rrëfen lavdinë e dikurshme të këtij vendi. Por, përballë mureve të rrënuara dhe portave të mbyllura, lind pyetja e hidhur se a mund të pranojë një komb që një monument i sovranitetit të tij të shitet dikujt si pronë private?
Ky objekt, që dikur simbolizonte dinjitetin kombëtar dhe identitetin shtetëror, sot qëndron i mbyllur në heshtjen e kohës. Rezidenca Mbretërore e Durrësit mbetet një nga dëshmitë më të rëndësishme të arkitekturës shtetërore shqiptare të viteve ’30-ta, një vepër që ndërthur estetikën evropiane me aspiratat kombëtare. Ajo përfaqëson një periudhë të rrallë të historisë sonë, kur arti dhe politika u bashkuan për të ndërtuar imazhin e një kombi dinjitoz.
Pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar, ky monument mbetet një trashëgimi shpirtërore e popullit shqiptar. Ruajtja, restaurimi dhe hapja e saj për publikun do të ishin akte të kujtesës kombëtare, një domosdoshmëri për të mos e shkëputur lidhjen me epokën që, pavarësisht stuhive historike, mbetet themel i identitetit shtetëror shqiptar.