Në 1-vjetorin e hapjes së Shtëpisë-Studio Agolli u organizua një ekspozitë e rrallë, ku u ekspozuan për herë të parë dorëshkrime origjinale të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, blloqe shënimesh, letërkëmbime dhe objekte autentike të shkrimtarit Dritëro Agolli.
Ky aktivitet që përkoi me 94-vjetorin e lindjes, mblodhi në shtëpinë e tij shkrimtarë, gazetarë, studiues, miq të afërt, familjarë, studentë e nxënës. Miqtë e afërt të poetit u shprehën se Dritëroi ndihej i pranishëm kudo.
Anisa Ymeri, drejtoresha e Shtëpive-Studio Kadare-Agolli, tha se ishte Elona Agolli, e bija e shkrimtarit, ajo që mundësoi gjithçka, që vizitorët të kenë një qasje ndryshe me krijimtarinë e të atit.
“Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të këtij viti për këdo që dëshiron të njihet me këtë pjesë të trashëgimisë së Dritëro Agollit, në shtëpinë e tij muze në Tiranë”, u shpreh Ymeri.
Në përgatitjen e ekspozitës ndihmoi gjithashtu edhe Biblioteka Kombëtare, e cila mundësoi ekzemplarët origjinalë të “Hostenit”, “Rilindjes” si dhe botime ndër vite të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”.