Ballina Ekonomia Tatimi në burim ndryshon lojën, ja pse gushti solli një valë të...

Tatimi në burim ndryshon lojën, ja pse gushti solli një valë të re biznesesh

175
0

Numri i tatimpaguesve të regjistruar në vend ka pësuar një rritje të dukshme gjatë muajit gushtit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore, janë regjistruar 7,491 tatimpagues më shumë për tatimin në burim sesa në gusht 2024.

Ky trend në rritje shihet si tregues i zgjerimit të bazës së tatimpaguesve dhe i formalizimit në rritje të ekonomisë shqiptare, çka vjen edhe si rrjedhojë e aksioneve të përditshme antiinformalitet që po ndërmerren nga administrata tatimore.

Por nga ana tjetër, kjo rritje lidhet me përmirësimin e shërbimeve digjitale, thjeshtimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve dhe ndërgjegjësimin më të madh të sipërmarrësve për detyrimet e tyre fiskale.

Por çfarë është “tatimi në burim”?

Tatimi në burim është një formë e mbledhjes së tatimit ku pagesa e detyrimit fiskal kryhet në momentin e transaksionit, nga vetë paguesi i të ardhurës. Kjo do të thotë se subjekti që kryen pagesën (si punëdhënësi, institucioni financiar apo një biznes tjetër) e zbrit automatikisht tatimin përpara se të kryejë pagesën përfituesit. Kjo metodë përdoret gjerësisht për të ardhurat nga paga, qiratë, shërbimet apo fitimet nga interesat dhe dividentët. Tatimi në burim është në masën 15 %  të shumës bruto e pagesave nga pagat, qiratë apo të ardhurat e tjera që lindin nga një burim në Republikën e Shqipërisë dhe 8 % nga shuma bruto për dividendët dhe ndarjet e fitimit.

Sipas ekspertëve, sistemi i tatimit në burim ndihmon në uljen e evazionit fiskal dhe rritjen e transparencës në mbledhjen e të ardhurave, pasi eliminon vonesat apo shmangiet në deklarimet tatimore.

Ndërkohë, Administrata Tatimore ka paralajmëruar se do të vazhdojë objektivin drejt rritjes së kontrolleve në terren për shmangien e evazionit fiskal,  por edhe të mbështetjes së tatimpaguesve për të përmbushur detyrimet e tyre në mënyrë të drejtë dhe të lehtë.