Rama flet për “mbrojtjen e UÇK-së”, por s’e voton rezolutën kundër gjenocidit serb — dhe mashtron edhe për Rrugën e Kombit!
Premtoi kalim falas për protestuesit, por qytetarët paguan tarifën si gjithmonë
Fjalët e Edi Ramës për “mbrojtjen e UÇK-së” dhe “luftën për dinjitet kombëtar” duket se vlejnë vetëm për konferenca shtypi e statuse politike, jo për vepra konkrete.
Ndërsa në Tiranë mundohet të paraqitet si zëri që “mbron luftëtarët e lirisë”, qeveria e tij refuzon të mbështesë edhe një akt simbolik – rezolutën kundër gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës.
Një hipokrizi e plotë, që tashmë është bërë shenjë dalluese e qeverisjes së Ramës.
Por mashtrimi nuk u ndal me kaq.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi publikisht se, me vendim të qeverisë shqiptare, kalimi në Rrugën e Kombit do të ishte falas për 24 orë (nga 17 deri më 18 tetor), në nder të protestës kundër Gjykatës Speciale në Tiranë.
Në realitet, udhëtarët që nisën rrugën drejt kryeqytetit raportuan se pagesa në pikën e Kalimashit u kërkua normalisht, si çdo ditë tjetër.
“Na e dhanë fjalën që do kalonim falas për të shkuar në protestë, por në vend të nderit, na kërkuan pagesë si gjithmonë. Mashtrim i pastër!” – tha për Syri Kosova një qytetar nga Prishtina që udhëtoi drejt Tiranës.
Ky episod e kthen në farsë çdo fjalim të Edi Ramës për “bashkim kombëtar” apo “nderim të UÇK-së”.
Në vend që të lehtësojë qytetarët që shkuan të protestojnë për drejtësinë e luftës, qeveria e tij u kërkon tarifë për të hyrë në Shqipërinë që ai vetë drejton.
Ndërsa për UÇK-në flet me pathos, për të vërtetën dhe rezolutën kundër krimeve serbe – hesht.
E ndërkohë, për qytetarët që e besojnë, propaganda vazhdon të faturohet me çmim autostrade.







